Tajvani, i cili është në një konflikt me Kinën mbi sovranitetin, planifikon të krijojë një flotë prej 3.000 mjetesh të reja ajrore pa pilot (UAV) kundër kërcënimeve në rritje të mbrojtjes.
Sipas gazetës “Taipei Times”, një komision i përbërë nga përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ekonomisë, Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe Teknologjisë dhe Instituti Kombëtar i Shkencës dhe Teknologjisë Chung-Shan (CSIST) po punojnë rreth kësaj çështjeje, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas deklaratës së komisionit, 9 prodhuesve do t’u kërkohet të zhvillojnë prototipe për furnizimin me rreth 3.000 dronë që do të përdoren për qëllime ushtarake.
Prodhuesit do të përgatisin prototipe për zbulimin e anijeve, zbulimin tokësor dhe dronë të zbulimit të përgjithshëm, si dhe dronët miniaturë dhe dronët me aftësi për zbulimin e objektivit.
Për prodhimin e prototipeve, Ministria e Mbrojtjes do të hapë tenderë të kufizuar në gusht. Është planifikuar që kompanitë fituese të tenderit të përfundojnë prodhimin në gjysmën e dytë të vitit dhe të kryejnë dërgesat në fillim të vitit të ardhshëm.
Organizata e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes së Tajvanit CSIST pritet të transferojë teknologjinë tek kompanitë prodhuese.
Ministria e Mbrojtjes do t’u kërkojë kompanive që do të hyjnë në tender të dëshmojnë se nuk marrin mbështetje financiare nga kompani me bazë në Kinë, se nuk kanë partneritet me kompani me bazë në Kinë, se nuk do të përdorin produkte dhe pjesë të prodhuara në Kinë ose nga kompanitë kineze./FolDrejt/