Një ditë më parë në Samitin e Madritit, NATO vendosi unanimisht që të shtojë forcat ushtarake në Europën lindore, pas kërcënimit rus.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, prezantoi liderve të shteteve anëtare të Aleancës Euroatlantike, strategjinë që do të ndjekin forcat paqeruajtëse në Europën lindore, ku rreziku rus është gjithnjë dhe më i pranishëm.
Prandaj NATO në unanimitet vendosi që të rrisë forcën ushtarake në Europën lindore, ku nga 40 mijë forca të pranishme që janë aktualisht ta çojë atë në 300 mijë.
Gjithashtu pjesë e misionit paqeruajtës në Europën lindore do të jenë dhe trupat ushtarake shqiptare, të cilat do të vendosen në Bullgari.
Pritet forcat ushtarake shqiptare do të shërbejnë në krah të forcave ushtarake amerikane dhe atyre kanadeze.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu ka publikuar në llogarinë e saj në twitter edhe një postim grafik ku shkruan se në përgjigje të pushtimit rus në Ukrainë, NATO ka përforcuar prezencën e saj mbrojtëse në pjesën lindore të Aleancës më shumë trupa, avionë dhe anije luftarake.
“Në përgjigje të pushtimit të #Rusisë në #Ukrainë, #NATO ka përforcuar praninë e saj mbrojtëse në pjesën lindore të Aleancës me më shumë trupa, aeroplanë dhe anije”, shkruan Lungescu në twitter.
Aktualisht Forcat e Armatosura Shqiptare janë të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në disa vende përfshirë edhe Letoninë.
Shqipëria po jep kontributin e saj në Letoni me 21 ushtarakë EOD si pjesë e grup – batalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO (eFP) në bazën Adazi në Riga./abcnews.al/