Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas kërcënimeve të Qeverisë për ndalesë në pagë ndaj grevistëve.
Tahiri ka thënë se mungesa e dialogut mes qeverisë dhe sindikatave ka shtyrë punëtorët të hynë në grevë. Ndërkaq, kërcënimet dhe shantazhimi që sipas tij po i bëhet grevistëve ka për qëllim ta instalojë frikën dhe kontrollin, njofton Klankosova.tv.
“Mungesa e dialogut dhe komunikimit të strukturuar ka rritur hendekun mes Qeverisë dhe sindikatave që po shtyn punëtorët në greva, e kriza sociale. Kërcënimi dhe shantazhimi i grevistëve është pjesë e një mendësie arrogante e autokratike, që në vend të dialogut, zgjedh përjashtimin dhe segregacionin social”.
“Qëllimi i kësaj mendësie është instalimi i frikës, duke i hapur rrugë kontrollit dhe dominimit total. Kjo qasje herët a vonë do të rezultojë me një kundërshtim gjithpopullor! Përndryshe, greva si veprim sindikal është e garantuar me Ligj të veçantë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.