Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e ka cilësuar si “rrezik për sigurinë globale” kërcënimin e Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore në sulmet e saj në Ukrainë
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e ka cilësuar si “rrezik për sigurinë globale” kërcënimin e Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore në sulmet e saj në Ukrainë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Michel, në kuadër të kontakteve në Japoni si pjesë e vizitës së tij zyrtare, vizitoi qytetin Hiroshima në jugperëndim të vendit dhe bëri thirrje që “bota të shpëtojë nga armët e shkatërrimit në masë”.
Duke vizituar Muzeun Memorial të Paqes në Hiroshima, Michel nënshkroi librin e vizitorëve dhe vuri në dukje se Hiroshima e bën atë të ndjejë një “vullnet intensiv për eliminimin e armëve bërthamore”.
Presidenti i Këshillit Evropian foli për sulmet e Rusisë në Ukrainë dhe theksoi se kërcënimi i Moskës për përdorimin e armëve bërthamore është “rrezik për sigurinë globale, turpërues dhe i papranueshëm”.
“Kemi parime ndërkombëtare dhe organizata globale për çarmatimin dhe kontrollin e armëve bërthamore. Duhet t‘i mbrojmë dhe t‘i rinovojmë këto për të mbrojtur paqen dhe sigurinë”, tha Michel.
Gjatë vizitës së tij, Michel vendosi lule në memorialin simbolik dhe u takua me kryetarin e Bashkisë së Hiroshima-s, Matsui Kazumi dhe viktimat e bombës atomike që njihen si “Hibakusha”./FolDrejt/