Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të zgjerojë listën e objektivave që do të sulmojë në Ukrainë nëse Perëndimi i dërgon Kievit armë.
Së fundmi, SHBA-ja njoftoi se do të dërgojë në Ukrainë Sistemin e Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë M142 (Himars), i cili përbëhet nga raketa të drejtuara me saktësi që mund të godasin objektivat deri në 70 km (45 milje) larg – shumë më larg se artileria që posedon aktualisht Ukraina.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se ranë dakord t’i siguronin raketat Kievit vetëm pasi morën garanci nga Presidenti Zelensky se armët nuk do të përdoren për të sulmuar objektivat brenda Rusisë, shkruan BBC, transmeton Fol Drejt.
Paketa përfshijnë gjithashtu helikopterë, armë antitank, automjete taktike dhe pjesë këmbimi.
Gjermania premtoi gjithashtu të dërgojë sistemin e saj më modern, Iris-T, për t’i mundësuar Ukrainës të mbrojë një qytetet kundër sulmeve ajrore ruse.
Në një intervistë në televizionin shtetëror rus të dielën, Putin tha: “Në përgjithësi, e gjithë kjo bujë rreth furnizimeve shtesë të armëve, për mendimin tim, ka vetëm një qëllim, të zgjasë konfliktin e armatosur sa më gjatë që të jetë e mundur.”
Nga ana e tij, zëvendësministri i mbrojtjes i Ukrainës u kërkoi vendeve perëndimore të mbajnë një furnizim të qëndrueshëm me armë për të ndihmuar vendin të mposht Rusinë.
“Ne kemi hyrë tashmë në një luftë të zgjatur dhe do të kemi nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Perëndimi duhet të kuptojë se ndihma e tij nuk mund të jetë një gjë e njëhershme, por diçka që vazhdon deri në fitoren tonë,” tha Hanna Malyar për mediat lokale./FolDrejt/