Procesi i privatizimit në Kosovë është karakterizuar në vazhdimësi me kritika, pasi që është vlerësuar si proces pa efekte dhe i cili është përcjell me parregullsi të shumta.
Njohës të këtij procesi kanë thënë se duhet një hetim i thellë i ndërmarrjeve shoqërore të privatizuar deri më tani pasi sipas tyre ky proces nuk ka kontribuar në zhvillim ekonomik, por ka sjellë humbje të vendeve të punës.
Eksperti i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë për Telegrafin se duhet hetim i procesit të deritanishëm të privatizimit. Sipas tij, pa hetimin nuk duhet filluar proceset e reja të privatizimit.
“Duhet me urgjencë të themelohet një Gjykatë Speciale për hetim të procesit të privatizimit pasi do të dëshmohet përmirësim i imazhit të saj duke e bërë këtë proces më transparent. Që karakterizohet si një ndër proceset më të dështuara dhe nga i cili proces janë forcuar grupet e caktuara të interesit, janë humbur vendet e punës është degredauar procesi i zhvillimit ekonomik. Ky proces hetimor duhet të jetë prioritet i Qeverisë aktuale dhe asaj që do të vije”, tha Gërxhliu.
Sipas tij, Gjykata Speciale për procesin e privatizimit do ta pastronte këtë proces shumë të rëndësishëm për Kosovën.
Çdo proces i privatizimit të Telekomit të Kosovës pa dal me një analizë se kush e ka sjell në këtë gjendje dhe e ka shkatërruar e i cili shkon në favor të grupeve të caktuara të interesit.
“Telefonia e Kosovës nuk ka të bëjë vetëm më komunikim, por ka të bëjë edhe me siguri e të dhënave dhe siguri shtetërore. Telekomi duhet të rimëkëmbët dhe pastaj të futet në proces të privatizimit. Çdo nguti me proces të privatizimit është më tepër shkatërrim sesa zhvillim i Telekomit”, tha Gërxhaliu.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës së fundmi ka marr vendim që Telekomi i Kosovës të futet në proces të privatizimit.