Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj ndaj shtatë të pandehurve lidhur me 83.5 kilogramët e drogës që janë sekuestruar dje në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se paraburgimi kërkohet ndaj L.T., O.V., M.H., SH.D., F.K., A.K. dhe A.A.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 23 shkurt 2022, rreth orës 12:00, në Han të Elezit, përkatësisht në terminalin doganor, të pandehurit, duke vepruar si anëtarë të grupit, pa autorizim kanë transportuar nga Turqia për në Republikën e Kosovës substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, të cilat substanca kanë pasur për qëllim shpërndarjen, shitjen ose ofrimin për shitje, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit të automjetit transportues, pronë e kompanisë ‘Alba Trans’ është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë me peshë të përgjithshme 83.592 gramë, e cila për destinacion ka pasur Prishtinën dhe ka qenë e fshehur në brendi të 32 reflektorëve, me të cilën kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast do të mbahet nesër pasdite në Gjykatën Themelore ne Ferizaj.