Prokuroria e Tiranës ka bërë ditën e sotme rekurs për lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj.
Mediat në Shqipëri po raportojnë me burime se Prokuroria ka kërkuar rikthimin e Goxhajt në burg dhe ekzekutimin e kërkesës së Gjykatës Speciale të Kosovës për ekstradimin e tij për në Hagë.
Shorti ka caktuar gjyqtar Ilir Pandën për shqyrtimin e kësaj kërkese nga Gjykata e Lartë atje, mirëpo s’dihet data apo orari i seancës gjyqësore.
Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik të vitit të kaluar me urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës.
Ish-luftëtari i UÇK-së u akuzua se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilat Goxhaj i mohoi gjatë procesit gjyqësor.