Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se i ka kthyer përgjigje negative KESCO-s, pas kërkesës për shtrenjtim të energji elektrike.
Në përgjigjen e ZRRE-së thuhet se vendimi u mor pasi për shkak të vendimit të Qeverisë për ndarje të subvencionit kanë pushuar rrethanat për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale të FSHU-së, respektivisht të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejt të Shërbimit Universal.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se Zyra e Rregulloratorit ka pranuar aplikim për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal, ku theksohet mungesa e rimbursimit të mjeteve të subvencionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës të shumës prej 32.8 milionë eurove për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022.
Rregullatori thotë se në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FSHU-në, ka analizuar me kujdes aplikacionin e FSHU-së, dhe konstaton se ngjarja e jashtëzakonshme nuk ka qenë nën kontrollin e FSHU-së, dhe se mungesa e subvencionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të tejkalonte pragun e materialitetit prej 5% në të Hyrat e Lejuara Maksimale të FSHU-së, e cila do të hapte Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.