KESCO bën të ditur se nga faturat e ardhshme të energjisë llogaritja do të jetë shumë më e thjeshtë, pasi i gjithë muaji do të faturohet me tarifat e reja.
“Nga faturat e ardhshme llogaritja do të jetë shumë më e thjeshtë dhe meqenëse i tërë muaji do të bëhet sipas tarifave të reja, vlerat ndërmjet rubrikave ‘Neto+TVSh’ dhe ‘Totali i faturës’ do të jenë të barabarta”.
“Për ta bërë sa më të lehtë leximin e faturës dhe logjikën e kalkulimit, në ueb-faqen e KESCO-s është integruar forma e kalkulimit, ku konsumatori do të vendosë të dhënat, me ç’rast do t’i gjenerohet kalkulimi në detaje i faturës së fundit, duke përfshirë ndarjen e kilovatëve para dhe pas 9 shkurtit, kalkulimi i secilit kilovat me çmimin përkatës, si dhe shuma e kilovatëve të faturuar në bllokun me tarifa të ngritura”.
Megjithatë, në faturat e muajit shkurt konsumatorët patën shumë ankesa. KESCO, nëpërmjet një njoftimi për media, sqaroi se si duhet bërë llogaritja, njofton Klankosova.tv.
“Dizajni i faturës, i aprovuar nga ZRRE-ja, u është përshtatur nevojave të faturimit, sipas ndryshimeve të strukturës së re tarifore. Kalkulimet sipas blloqeve paraqiten sipas leximit të rregullt dhe strukturës së re të aprovuar. Gjithashtu, konsumatorët në rubrikën ‘Neto’ e kanë të paraqitur shpenzimin total. Megjithatë, për shkak se tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe pjesa e shpenzuar para datës 9 shkurt llogaritet me tarifat e vjetra, në rubrikën ‘Totali i faturës’ paraqitet obligimi që konsumatorët e kanë për pagesë dhe e njëjta është më e ulët sesa vlera e paraqitur te rubrika ‘Neto’”.
“Diferenca në mes ‘Neto’ dhe ‘Totali i faturës’ është pikërisht si rezultat i llogaritjes së konsumit me tarifa të vjetra para datës 9 shkurt dhe njehsimit nga zero i bllokut nga data 9 shkurt, pavarësisht shpenzimit që konsumatorët kanë bërë deri më 9 shkurt. Kjo diferencë është shpjeguar në pjesën e poshtme të faturës, në formë tekstuale (të shkruar), përfshirë edhe ditët, për të cilat janë aplikuar tarifat e vjetra” thuhet në kumtesën e KESCO-s.