Vëllezër të dashur,
E falënderojmë Allahun që në ka bërë prej atyre që po e presin këtë muaj.
Ky është muaji në të cilin më së shpejti arrihet kuptimi i jetës, muaji në të cilin më së shpejti vijmë deri tek origjinaliteti ynë, e pa ardhur njeriu, pa ardhur besimtari tek origjinaliteti i vet – ai gjithmonë do të jetë i rrejshëm në jetë, gjithmonë do të prezentohet me shumë maska në jetë, kurrë nuk do ta ketë esencën e vet origjinale, arsyen pse është në këtë botë. Prandaj, është tejet me rëndësi t’i ndajmë me ju së bashku disa udhëzime, disa këshilla.
Nga Hafiz Sulejman Bugari
Keni dëgjuar sigurisht se sahabët gëzoheshin gjashtë muaj para se të vinte ramazani, e kur ai kalonte, mërziteshin që po largohet.
Pse kishin një raport të këtillë? Sepse ata e dinin mirë se ramazani është mundësi e veçantë që Zoti ia ka dhanë çdo besimtari, çdo njeriu në rruzullin tokësor, e të mos flasim për muslimanin e për besimtarin. Rast ku secili besimtar i merr përgjigjet për paqartësitë që i ka në jetë. Nëse ndonjë gjë nuk e kemi të qartë në jetë, kjo do të thotë se nuk jemi ramazanuar sa duhet.
Sahabët gëzoheshin sepse ramazani është rast ku besimtari ka mundësinë të çlirohet nga tri sëmundje, tri gjynahe nga të cilat burojnë të gjitha çrregullimet në shoqëri.
Gjynahu i parë – arroganca. Gjynahu i dytë – lakmia. Dhe gjynahu i tretë – zilia.
Këto tri gjynahe janë shkaktari kryesor I të gjitha çrregullimeve, pakënaqësive, pasigurisë, mosdurimit, dhe shkaktar i krejt asaj që e shkatërron psikofizikun e personit.
Nëse e shikojmë pak gjendjen e përgjithshme në botë, sidomos gjendjen e muslimanëve, e shohim se sigurisht kemi lejuar që ramazanet të na kalojnë sipas zakonit. Agjërohet sipas zakonit, bëhet iftar sipas zakonit, pa menduar për qëllimet e shtyllave të fesë. Çdo shtyllë e fesë e ka qëllimin e vet – pra, çka kërkohet me atë shtyllë.
Nëse do ta kishim thënë me një fjali arsyen kryesore pse muslimanët kanë lejuar të jenë në gjendje të turpëruar – arsyeja është se kanë lejuar që materializmi, dynjallëku të jetë në rend të parë, e feja të jetë në rend të dytë, të tretë e kështu me radhë.
Pa e pasur fenë në rend të parë, gjithmonë do të jemi më poshtë në çdo fushë të jetës. Nuk do të jemi në gjendje t’ia dalim asnjëherë.
Ç’është ajo që sot dominon më së shumti në shoqëri? Do t’i përmendim tri gjëra.
E para – na mungon autoriteti i islamit. Ju e dini shumë mirë ç’do të thotë autoriteti i islamit. Thjesht të ndjehet, të jetohet islami te muslimanët. E këtë autoritet do ta ndjejmë atëherë kur ata që e rrethojnë muslimanin e ndjejnë nevojën të flasin, të komunikojnë, të bëjnë biznes me të, për shkak të sinqeritetit të tij, për shkak të gjerësisë, afërsisë dhe faljes së tij.
Dhe për shkak të gatishmërisë së tij që ta mbrojë çdo njeri të cilit i bëhet padrejtësi. Pra, autoriteti I islamit disi na është nëpërkëmbur, apo me fjalë të tjera – islami nuk po vepron te ne, nuk po lë gjurmë në shpirtrat tanë, nuk po lë gjurmë te fqinjët, te rrethi ynë.
Tekefundit, dhe për fat të keq, nuk po lë gjurmë as te ne. Shkojmë, e falim namazin, dhe kaq.
Pra, në fytyrën e besimtarit duhet të shihet kënaqësia, buzëqeshja, gëzimi, lehtësia. Kur ai ec rrugës, thjesht edhe sytë I qeshin. Kur e sheh, mezi pret të bisedosh me të. E ju jeni dëshmitarë që sot ikim nga njëri-tjetri. Madje, për fat të keq, muslimanët mes vete nuk flasin. Kanë krijuar milion xhemate, duke konsideruar se njëri mund të ofrojë diçka më mirë se tjetri.
Nuk është feja vetëm të falësh namaz, vetëm të agjërosh, vetëm të japësh zeqat, të therrësh kurban, të shkosh në haxh – mbani mend, thelbi I fesë është sjellja e bukur, raporti I bukur.
Thotë Ibn Abbasi (r.a.): “Çdo ndërtesë I ka shtyllat e veta, themelin e vet. Themeli I ndërtesës së islamit është sjellja e bukur”.
Ç’na duhen vëllezër shtyllat e ndërtesës, nëse nuk e kemi themelin e shëndoshë? Nëse nuk e kemi raportin e shëndoshë – raportin e shëndoshë me gjithçka në jetë.
Pra, gjëja e parë që dominon – mungon autoriteti i islamit.
Gjëja e dytë – mungon bereqeti, bekimi i Shpalljes. Kjo do të thotë, e kemi Kur’anin por ai nuk lë gjurmë. E kemi Kur’anin por nuk ndikon, nuk po e kuptojmë, nuk po i kërkojmë zgjidhjet e të gjitha problemeve në Kur’an, sepse Allahu (xh.sh.) në Kur’an e ka shpjeguar në hollësi çdo gjë.
Dhe gjëja e tretë – ajo që po shohim për fat të keq edhe në mesin e muslimanëve, është pamëshira që po mbretëron mes vëllezërve.
E pse? Cili është shkaku i dominimit të këtyre tri dobësive në shoqëri?
Resulullahu (s.a.v.s.) në një hadith të cilin e përcjell Ibn Amri (r.a.) ka thënë: “Kur ummeti im nis ta madhërojë dynjanë, këtë botë, materializmin, ndërsa e shpërfill ahiretin, shkulet prej tyre autoriteti i islamit”. Këtu pra qëndron përgjigjja!
Kjo do të thotë se kur i jepet peshë materializmit, dhe i jepet përparësi atij – humbet autoriteti I islamit.
Pastaj, thotë Resulullahu (s.a.v.s.): “Kur ummeti im i braktis institucionet e urdhërimit të së mirës dhe largimit nga e keqja, i bëhet i ndaluar bereqeti i Shpalljes”. Kjo do të thotë, kanë Kur’an por nuk ndikon aspak tek ata, nuk u lë gjurmë.
E kemi Kur’anin, por nuk i zgjidhim problemet mes nesh. Merre me mend – e ke ilaçin që në fillim për çdo sëmundje, e ne lejojmë të jemi të sëmurë në shumë aspekte në jetë. Të jemi të mërzitur, të vetmuar, të mos flasim me vëllain, e kështu me radhë…
Dhe, gjëja e tretë, thotë Resulullahu (s.a.v.s.): “…kur ummeti im nis të fyejë, të nënçmojë, të përqeshë njëri-tjetrin, bie ummeti nga Shikimi i Mëshirës së Zotit”. Kjo do të thotë se pastaj nuk ka mëshirë të Zotit, dhe kur nuk ka mëshirë nis të përhapet pamëshira.
A e dini se cila është arsyeja kryesore pse ibadetet nuk po lënë gjurmë te ne?
T’jua kujtoj – e dini se si i Dërguari I Allahut (s.a.v.s.) linte gjurmë. Edhe pa mbërritur në Medine, krejt Medina, krejt qyteti tashmë e donte.
Çka kishte mbërritur atje pa mbërritur ai?
Qëndrimi i tij, dashuria e tij, mirëkuptimi i tij, falja e tij, gatishmëria e tij për të mbrojtur nderin e secilit – edhe nderin e jumuslimanit nëse jeton aty, në Medine. E ai, ende pa mbërritur në Medine – e krejt qyteti, i tij.
E ne në qytetin tonë të lindjes kemi njerëz me të cilët nuk flasim! Aty, në qytetin ku ke lindur, ke axhallarë, dajallarë e fqinj me të cilët nuk flet. E si pra do ta ndjejë mëshirën ai pranë teje, i cili nuk është musliman?
Pse ibadetet nuk po lënë gjurmë te shpirtrat tanë dhe tek ata që na rrethojnë? A e dini pse?
Tash e dini edhe rëndësinë e ramazanit. Nëse nuk e shfrytëzojmë si duhet, do të mbesim letargjikë gjatë gjithë vitit. E besimtari, edhe pa folur, agjëruesi edhe pa folur, ndikon në zemrat e njerëzve.
Me këdo që takohet – në punë, në dyqan, në firmë, në takim, ai ndikon. Edhe pa e thënë asnjë fjalë, e lëre më nëse di të flasë! E lëre më nëse di të punojë, nëse është I aftë në profesionin e vet, nëse është I sinqertë në punën e vet – menjëherë të thërrasin, të vijnë myshteritë… Pse? Sepse e shohin sinqeritetin tënd.
A e dini pse nuk kanë ndikim ibadetet? Nuk ka ndikim sadaka, nuk ka ndikim duaja, nuk ka ndikim namazi, nuk ka ndikim zeqati, nuk ka ndikim kurbani, haxhi… Haxhi është bërë turizëm.
A e dini cila është arsyeja kryesore? Sepse dyert e të gjitha ibadeteve na janë mbyllur!
Thotë Resulullahu (s.a.v.s.): “Çdo gjë e ka derën e vet, e dera e të gjitha ibadeteve është agjërimi”.
Pse sahabët i gëzoheshin ramazanit? Sepse ai ishte mundësi që t’u hapen ato dyer, që t’u hapen të gjitha dyert e tjera në botë – dyert e sinqeritetit, dyert e biznesit, dyert e faljes, dyert e mirëkuptimit, dyert e sakrificës për të mirën e gjithëmbarshme.
E ne jemi ndalur te ky lloji i parë i derës – te agjërimi nga ngrënia dhe pija, dhe marrëdhëniet në martesë. E nuk duam ta bëjmë hapin për llojin e dytë të agjërimit.
Edhe në gjuhë, në arabisht, saim është ai që agjëron nga ngrënia dhe pija. Shkalla e dytë, savvam, ai që agjëron shumë nga fjalët e këqija, nga mendimet e këqija, nga nijeti i keq, nga komenti i keq, nga e gjithë ajo që e shqetëson tjetrin. Dhe shkalla e tretë, saih, do të thotë agjëruesi nga gjithçka që e ka ndaluar Allahu – me tërë qenien, dhe ai si i tillë lë gjurmë ngado që shkon. Edhe pa folur, ai zgjon dashurinë dhe interesimin për bukurinë e fesë.
Prandaj, është tejet me rëndësi të shohim se ç’është ajo që ne duhet të bëjmë për ta ndier agjërimin, të shohim se ç’është ajo që ne po lejojmë të ndyhemi gjatë gjithë vitit dhe nuk po e bëjmë pastrimin. E ne edhe veturës ia bëjmë pastrimin gjeneral, servisin, një herë në vit.
E ramazani është si servisi gjeneral për qenien tonë. Pra, të njihemi me qenien tonë. Me ramazan mësohemi se si ta pastrojmë stomakun, zemrëm, mendjen, nderin, shtëpinë, punën, paratë – të pastrojmë gjithçka që çrregulon, ta pastrojmë dijen, shkencën.
Shkenca, dija e papastruar e ka sjellë shoqërinë në këtë nënçmim sot. Pavarësisht faktit se shkenca në botë ka arritur përparim, nënçmimi, luftërat, urrejtja, jotoleranca, veçimi i dallimeve në baza të kombit, fesë, kësaj e asaj, dallimeve në baza të ngjyrës…
Pse? Sepse nuk ka dije, dhe sepse shkenca nuk është pastruar nga interesat personalë.
Sot shkenca shfrytëzohet si vegël për të pasur para, për të pasur rrogë të mirë. Madje edhe prindërit kur i regjistrojnë fëmijët e tyre në fakultet thonë “Bir, mos atë fakultet, se nuk shpaguhet. Regjistroje këtë, këtu është rroga e mirë”.
Unë këtë shpesh e përmend në ramazan që të na mbetet në kokë. Mua, dhe të gjithë neve.
Ju keni dëgjuar se si pastrohen paratë në islam. Me çka pastrohen paratë? Me zeqat.
Dëgjoni se ç’thotë Resulullahu (s.a.v.s.): “Për çdo gjë duhet zeqat, çdo gjë e ka zeqatin e vet, zeqati i trupit është agjërimi”.
Sipas jush, çka është zeqati i organizmit? Trupi është një gjë, organizmi brenda është diçka tjetër. Zeqati i organizmit është: nëse ti nuk agjëron, nuk jep zeqat për trupin, Allahu do të ta japë për zeqat sëmundjen e cila do të jetë shkak i pastrimit të organizmit tënd dhe organizmit tim.
Sot, shumica e sëmundjeve nuk janë për mjekun. Mjeku vetëm ta jep antidepresantin – merri këto, dhe kaq. Pse? Sepse nuk e pastrojmë organizmin tonë, gjegjësisht nuk e pastrojmë trupin tonë, dhe pastaj Allahu na sprovon me sëmundje që ajo prapë të jetë pastrim për organizmin tonë.
Çka i themi të sëmurit kur e vizitojmë? Çka i thuhet sipas islamit?
Resulullahu (s.a.v.s.) ka thënë: “Kur e viziton të sëmurin, i thua: ‘pastrim, in sha Allah’”.
Pra, diku je ndyer. Ky është zeqati për organizëm.
Njerëz, a është mendja e rëndësishme për ne? Po ti dallon nga kafsha vetëm për shkak të mendjes. A e jep zeqatin për atë mendje? A dëshiron që ajo mendje të mbetet?
Sot njerëzve u ka humbur mendja sepse nuk japin zeqatin për mendje. Keni dëgjuar ndonjëherë të jepet zeqat për mendje? Edhe unë e kam dëgjuar para disa ditësh…
Në botë po mbretëron mungesa e mendjes, vetëvrasjet… Sëmundje të papërshkrueshme psikofizike – e nuk janë për mjek. Spitale të stërmbushura, burgje të stërmbushura, nuk po kanë efekt ilaçet. Nuk ka efekt institucioni korrektues – burgu.
Mund të ndodhë që muslimani të jetë munsliman, por mendjen të mos e ketë të shëndoshë? A mund të ndodhë kjo? Mundet.
Kur thonë: “Doktor i shkencës, e ka bërë këtë dhe këtë, nuk është punë e mençur”. Nuk ka vepruar mençur – e ku e ka pasur mendjen? Nuk jep zeqat për mendje.
Zeqati për mendje është – kur dikush të fyen, ti mund të përgjigjesh por refuzon dhe thua: “unë agjëroj”, ti e ke dhënë zeqatin për mendje. Mendjen do ta kesh edhe më të fortë. E nëse përgjigjesh – kot. Nervozohesh, të dhemb koka, nuk mund të flesh, sepse nuk e jep zeqatin për mendje.
Shih se sa i rëndësishëm është zeqati për mendje. Zeqati për para është I lehtë: Kaq para në fund të ramazanit, dhe u krye. E brenda, avari.
E zeqati për shtëpi? A keni ju shtëpi, banesë? A jepni zeqat për shtëpi? A e dini se çka është zeqati për shtëpI? Nëse nuk e jep, mos u habit që e ka kapluar zjarri, që ka rënë ndonjë tra e nuk të ka rënë ty në kokë. Pse? Sepse nuk e jep zeqatin për shtëpi. E çka është zeqati për shtëpi? Të të vijë mysafiri në shtëpi. Mysafiri kur hyn në shtëpi, Allahu e pastron shtëpinë për shkak të mysafirllëkut. E largon çdo papastërti nga shtëpia, dhe sjell nur, dashuri, lehtësi, mëshirë, edhe dua.
Pastaj, zeqati për respekt. Sa e rëndësishme është të jesh i respektuar. Thonë njerëzit, shko te ky, te filani, ai të gjen punë. Dhe ti shkon tek ai biznismen I thua: “e kam një mik, shumë I aftë, i përgattitur, ka dituri…”, dhe meqë ti ke respekt tek ai, të thotë: “ma sjell këtu, u krye kjo punë”. E pse të pranon ky menjëherë? Sepse ti gëzon respekt tek ai pavarësisht se cilës fe i takon. Kur ai thotë – të gjithë e pranojnë, sepse ai e ka ndërtuar respektin.
E a e dini se si jepet zeqat për respekt? Dëshirojmë të na rritet respekti? Duhet të japim zeqat. Zeqati i respektit është t’i zgjidhësh hallet e njerëzve, t’i lash borxhet e njerëzve, ta punësosh dikë, të ndërmjetësosh për cilindo njeri, t’ia zgjidhësh problemin, dhe atëherë respekti të rritet edhe më tej.
Dhe e fundit, dhe mjafton – zeqati për shpirt. A po jep, vëlla i dashur, zeqat për shpirt?
Ju jeni dëshmitarë se sot në botë më së shumti dominojnë sëmundjet shpirtërore. Personi me çrregullime shpirtërore. Sëmundjet shpirtërore kanë shkatërruar shoqërinë. Spitalet e sëmundjeve shpirtërore – të stërmbushura. Pse? Sepse nuk japin zeqat për shpirt.
Shqyhet shpirti sot, sepse është lejuar që ai ta shqyejë veten, ta mbysë veten, të urrejë – sepse nuk japin zeqat për shpirt.
Shqyerja e shpirtit – në frengjisht thuhet skizofreni. Skizo – shqyerje, frenos – shpirt. Pra, shqyerja e shpirtit. E pse po shqyhet shpirti? Sepse nuk po jep zeqat për shpirt.
E ç’është zeqati për shpirt? Zeqati për shpirt është të jesh i vetëdijshëm se Allahu është me ty kudo që je. Dhe të dish se Ai të përcjell në çdo frymëmarrje. Dhe të dish që kamera e fshehtë është mbi ty, çkado që bën ti. Kur ti e di se Ai të përcjell, nuk do të bësh diçka që nuk i pëlqen Atij.
Të mos numëroj tutje, se ka shumë lloje të zeqatit – zeqati për zemër, vëlla I dashur. E sot, problemet kardiologjike, sa të duash. Infarkti, me miliona sëmundje që lidhen me zemër. A e dini pse? Sepse nuk japin zeqat për zemër. E çka është zeqati për zemër?
Zemra jonë e ka dashur Krijuesin e Botëve. Pasi na u dha trupi, nëse zemra nuk u ruan lidhjen me Të, mbaroi. Ajo pastaj u ekspozohet sulmeve të ndryshme, i merr afër zemrës fyerjet e ndryshme, dhe zemra të dhemb: “Nuk mundem, më ka hypë shtypja”. Pse? Nuk po e jep zeqatin për shtypje, që ajo të mbetet normale.
Zeqati për zemër, mbani mend, është të të vijë keq që je ndarë nga Bukuria e Përjetshme, dhe mezi pret ritakimin me Allahun, sepse je ndarë nga Ai, e pa Të, kush nuk ka lidhje me Të, jeta e tij është palidhje.
Prandaj është ramazani.
Ta shfrytëzojmë mundësinë ta agjërojmë këtë llojin e dytë të agjërimit. E ai është agjërimi nga mendimet e këqija, nga fjalët, nga komentet e këqija, thashethemet, nënçmimi, zilia, nga të gjitha sëmundjet të cilat na shqetësojnë zemrën dhe shpirtin.
Prandaj, le të gëzohemi që Allahu na e ka dhënë ramazanin, dhe le ta shfrytëzojmë atë.
Vetëm thuani kështu: “Allahu im, më jep fuqinë që për këtë ramazan t’ia dal të çlirohem nga këto sëmundje, nga arroganca, nga lakmia dhe nga zilia”. Ky është qëllimi I ramazanit, mbani mend.
Që me ramazan të rrethakohesh nga e keqja, ta falënderosh Zotin për begatitë që t’i ruash ato begati, dhe që të arrish pjekurinë shpirtërore. Pjekurinë shpirtërore për të kuptuar në çdo kohë se çka dhe kur i duhet ndonjë gjë dikujt, dhe që këtë ta bësh për hatër të Allahut, në rrugën e Allahut.
E lus Allahun t’na e pranojë këtë ramazan, e lus Allahun që ky ramazan të jetë pika e kthesës së pjekurisë sonë shpirtërore, dhe e lus të na lidhë me lidhjen e pakëputshme, dhe e lus të na nderojë të jemi shkaktarë që Allahu me ne t’ua lehtësojë atyre që na rrethojnë, që ta ndjejmë nderin në të dy botët. Amin, ja Rabb el-Alemin!
Allahu ju begatoftë për vëmendjen!