Krerët e shteteve apo qeverive të shteteve anëtare të BE-së në një takim në Bruksel ranë dakord për ndarjen e 18 miliardë eurove ndihmë makrofinanciare për Ukrainën për vitin 2023, shkruan Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
Lajmin e konfirmoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për shtyp pas takimit të Këshillit Evropian.
Ajo ka përsëritur se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
“BE-ja është gjithnjë në mbështetje të fqinjit të saj, ashtu siç duhet të jetë dhe do të mbetet e tillë. Ne kemi mbështetur financiarisht Ukrainën me 19.7 miliardë euro. Falë Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, propozimi ynë për 18 miliardë euro shtesë për vitin e ardhshëm është miratuar sot”, tha ajo.
Siç raporton Ukrinform, Parlamenti Evropian më 14 dhjetor ra dakord për ndarjen e 18 miliardë eurove në ndihmë urgjente makrofinanciare për Ukrainën në vitin 2023. /FolDrejt/