Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë luftën Rusi-Ukrainë, rritjen e kostove të energjisë dhe pasojat e tyre ekonomike në takimin në Republikën Çeke, shkruan Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
Anëtarët e Këshillit Evropian do të takohen të premten në Republikën Çeke për të diskutuar luftën Rusi-Ukrainë, rritjen e kostove të energjisë dhe pasojat e tyre ekonomike.
Takimi jozyrtar vjen një ditë pas takimit të parë të Komunitetit Politik Evropian, i cili mblodhi 27 shtete anëtare të BE-së dhe liderët e 17 vendeve evropiane në kryeqytetin Pragë, me qëllim nxitjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit për të adresuar çështjet me interes të përbashkët.
Në takim, liderët e BE-së do të diskutojnë reagimin e bllokut dhe mënyrën se si të vazhdojë ofrimi i mbështetjes së fortë ekonomike, ushtarake, politike dhe financiare për Ukrainën përballë luftës së Rusisë.
Një nga fokuset kryesore do të jetë mënyra se si të garantohet energji e përballueshme për familjet dhe bizneset.
Vendet evropiane po përballen me çmime të larta të energjisë dhe mungesë të gazit për shkak të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.
Rusia ka reduktuar furnizimet me gaz natyror në Evropë, nga e cila kontinenti varej prej vitesh për të prodhuar energji elektrike dhe ngrohjen e shtëpive, si përgjigje e sanksioneve të paprecedentë perëndimore.
Muajin e kaluar, ajo ndaloi furnizimet e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1 për një kohë të pacaktuar.
Udhëheqësit do të trajtojnë gjithashtu çmimet e larta të energjisë për familjet dhe bizneset dhe mënyrën se si BE mund të mbështesë rritjen dhe vendet e punës duke mbrojtur të pambrojturit që vuajnë më shumë nga faturat e larta të energjisë.
Ata do të vazhdojnë t’i diskutojnë këto çështje në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në Bruksel më 20-21 tetor. /FolDrejt/