Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka përshëndetur takimet e zhvilluara sot në Bruksel, ku Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, priti në takime ndaras, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandçr Vuçiq.
Në anën tjetër KASh shprehu keqardhje për moszbatim të marrëveshjeve të arritura.
“KASh shpreh keqardhjen që marrëveshjet e arritura deri tani ndërmjet dy vendeve nuk kanë gjetur zbatimin e premtuar, duke ushqyer rritjen e mosbesimit dhe të tensioneve përkundër qëllimit të këtij dialogu”, ka shkruar KASh në Twitter.
Ky këshill ka theksuar rëndësinë e rivitalizimit të dialogut si dhe angazhimin e të dyja palëve për një marrëvshje përfundimtare.
“KASh thekson rëndësinë që ka rivitalizimi i dialogut që po zhvillohet me mbështetjen e BE-së dhe ShBA-së dhe veçanërisht angazhimi vullnetmirë i të dy palëve për një marrëveshje përfundimtare që do t’i jepte fund agonisë së pasigurisë e do të nxiste përparimin e të 2 vendeve dhe Ballknait Perëndimor drejt Bashkimit Evropian”./KlanKosova/