Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar një vendim për mospranimin e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuara në territoret e okupuara të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, transmeton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Ky vendim është një përgjigje ndaj agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe praktikës së Rusisë për lëshimin e pasaportave ndërkombëtare ruse për banorët e rajoneve të pushtuara. Ai gjithashtu pason vendimin e njëanshëm të Rusisë për të njohur pavarësinë e territoreve gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore në vitin 2008”, thuhet në deklaratë.
Kështu, dokumentet ruse të udhëtimit të lëshuara për personat rezidentë në rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainë ose territoret e shkëputura në Gjeorgji nuk do të pranohen si dokumente të vlefshme udhëtimi për marrjen e vizës ose kalimin e kufijve të zonës Shengen.
Vihet re se dokumentet ruse të udhëtimit të lëshuara në këto rajone tashmë nuk njihen ose janë në proces mosnjohjeje nga vendet anëtare të BE-së. Ky vendim synon të përcaktojë një qasje të përbashkët, të sigurojë funksionimin e duhur të kufirit të jashtëm dhe politikave të përbashkëta të vizave dhe të ruajë sigurinë e vendeve anëtare të BE-së.
Siç raportohet, që nga aneksimi i paligjshëm i gadishullit të Krimesë në mars 2014, Rusia ka lëshuar pasaporta ndërkombëtare ruse për banorët e Krimesë. Kjo praktikë u shtri në zonat e pa kontrolluara nga qeveria të Donetsk dhe Luhansk në prill 2019, e ndjekur nga rajonet e pushtuara të Kherson dhe Zaporizhzhia në korrik 2022.
Bashkimi Evropian e konsideron këtë lëshim sistematik të pasaportave ruse në ato rajone të okupuara si një shkelje të mëtejshme të së drejtës ndërkombëtare dhe integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës. /FolDrejt/