Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI) njoftoi se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i udhëtarëve në trafikun ajror është rritur me 69 për qind.
Në Marrakesh të Marokut, nga data 22 deri më 28 tetor mbahet Kongresi vjetor i ACI-së ndërsa të pranishmëve iu drejtua presidenti i Këshillit Luis Felipe de Oliveira. Me këtë rast ai tha se numri i pasagjerëve të trafikut ajror në gjashtë muajt e parë ka arritur në 3 miliardë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Oliveira tha se rritja lidhet me periudhën e verës 2022 duke treguar se kjo vjen pas kufizimeve për shkak të pandemisë së COVID-19 që filloi dy vite më parë.
Ai më tej theksoi se numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar transportin ajror në gjysmën e parë të vitit është rritur me 69 për qind si dhe iu referua supozimeve për fundin e vitit.
Udhëtimi ishte ndër fushat më të prekura për shkak të pandemisë së COVID-19 në vitin 2020. Supozimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA) janë se pasojat do të jenë të dukshme deri në vitin 2026./FolDrejt/