Këshilltari i presidentes së Kosovës, Blerim Vela thotë se në masë të madhe institucionet e Kosovës kanë qëndrime të njëjta me Përfaqësuesin e SHBA-së për dialogun derisa sipas tij e njëjta gjë nuk është edhe me përfaqësuesin e BE-së.
“Qëndrimet e Escobarit në masë të madhe për të mos thënë 100% janë të njëjta me ato të institucioneve të Kosovës. Përfaqësuesi i BE-së e ka situatën pak më specifike dhe i gjithë investimi i tij është që Kosova dhe Serbia të arrijnë disa marrëveshje në fusha specifike dhe kjo synohet të arrihet në muajt apo javët në vijim”, ka deklaruar Vela në RTV Dukagjini.
Duke folur për Asociacionin, Vela thotë se SHBA nuk kërkon Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, përcjell Telegrafi.
Vela thotë se në takimet e sotme nuk ka pasur diskutime për ndonjë model të ngjashëm si Tiroli Jugor apo diçka të ngjashme.
Sot gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.