Presidenti i SHBA-së Joe Biden është i qartë dhe nuk ka pasur hamendje për dërgimin e avionëve F-16 në Turqi, tha sot Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Mbështetja e presidentit Biden ka qenë e qartë dhe pa hamendje për muaj të tërë për transferimin e F-16-ve në Turqi”, tha Sullivan në një konferencë shtypi në margjinat e samitit të NATO-s në kryeqytetin lituan Vilnius.
Ai shtoi se është në interesin kombëtar të SHBA-së, por edhe të NATO-s, dhe se Biden synon të vazhdojë me këtë transferim dhe konsultimet me Kongresin për këtë çështje.
Sullivan tha se do të punojë me Kongresin për kohën e dërgimit të avionëve në Turqi.
“Nuk mund të spekuloj ditën e saktë se kur do të ndodhë kjo, ne e mbështesim këtë”, shtoi ai.
Ankaraja kërkoi avionë luftarakë F-16 dhe komplete modernizimi nga SHBA-ja në tetor 2021. Marrëveshja prej 6 miliardë dollarësh do të përfshinte shitjen e 40 avionëve si dhe kompletet e modernizimit për 79 avionë luftarakë tashmë në inventarin e Forcave Ajrore Turke./FolDrejt/