Më shumë se 13,000 ushtarë ukrainas kanë vdekur që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, tha këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Kemi vlerësime zyrtare nga Shtabi i Përgjithshëm. Ato variojnë nga 10,000 deri në 13,000 të vdekur”, tha Mihail Podolyak për Channel 24 të Ukrainës.
Sipas tij, kreu i shtetit do të publikojë të dhënat zyrtare “kur të jetë koha e duhur”.
Kur luftimet shpërthyen rreth Luhanskut në Ukrainën lindore në qershor, Zelensky tha se “60 deri në 100 ushtarë ukrainas vdesin në aksion çdo ditë”.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha në shtator se 5,937 ushtarë rusë kishin vdekur që nga fillimi i konfliktit më 24 shkurt.
Të dyja palët dyshohet se kanë nënvlerësuar viktimat për të ruajtur moralin mes ushtarëve.
Shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjenerali Mark Milley, vlerësoi në nëntor se më shumë se 100,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i pushtimit dhe se humbjet ka të ngjarë të jenë të ngjashme nga pala ukrainase, transmeton Fol Drejt.