Ndërsa Kievi mohoi të përballej me presionin nga Perëndimi për të rifilluar negociatat me Moskën, duket se ka një ndryshim në qëndrimin e “jo-së së prerë” ndaj bisedimeve të paqes,shkruan The Kyiv Independent, përcjell Fol Drejt.
Në një intervistë me Radio Svoboda më 8 nëntor, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podalyak përsëriti se Ukraina ishte e gatshme të negocionte vetëm pas një tërheqjeje të plotë ruse, duke përfshirë territoret e pushtuara nga Rusia që nga viti 2014.
Washington Post më herët raportoi se “administrata Biden po inkurajon privatisht liderët e Ukrainës që të sinjalizojnë një hapje për të negociuar me Rusinë”. Raporti, duke cituar burime të paidentifikuara të njohura me bisedimet, shtoi se SHBA po inkurajon gjithashtu Kievin që të “heqë refuzimin publik për t’u përfshirë në bisedimet e paqes” nëse Putin nuk është më në pushtet.
Disa ditë më vonë, Zelensky tha papritur në një fjalim të mbrëmjes më 7 nëntor se ai ishte i hapur për bisedime me Rusinë, por vetëm për ato “të vërteta” që do të rivendosnin kufijtë sovran të Ukrainës.
Zelensky kishte nënshkruar më herët një dekret të shtatorit që deklaronte “pamundësinë e mbajtjes së bisedimeve” me Putinin pas aneksimit të paligjshëm të katër rajoneve pjesërisht të okupuara të Ukrainës nga Moska. Bisedimet e fundit të njohura të paqes midis Kievit dhe Moskës u zhvilluan në mars përpara se krimet ruse të luftës në Bucha dhe periferitë e tjera të kryeqytetit ukrainas të zbuloheshin pas çlirimit të zonës. /FolDrejt/