Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Prishtinë, tashmë ka vendosur për emrat e drejtorëve në Komunë të Prishtinës.
Ilir Musliu – drejtor i Shërbimeve Publike, Granit Rugova – drejtor për Rini, Kulturë dhe Sport, Plator Gërdovci – drejtor i Bujqësisë, Besiana Musmurati – drejtoreshë e Arsimit, janë emrat që PDK do t’i dorëzojë nesër zyrtarisht tek kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Burime të Gazeta Blic, brenda zyreve të PDK-së në Prishtinë, kanë konfirmuar se është vendosur edhe për emrin e nënkryetarit të komunës, dhe që në këtë post nuk do të jetë Blerand Stavileci.
”Nënkryetare do të jetë një grua. S’mund t’ua jap emrin për disa arsye. Por, të jeni të sigurt që nuk është Blerand Stavileci, që do ta merr këtë post”, i tha Blicit, ky burim brenda PDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kishin arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Prishtinë, qysh pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura me 14 nëntor. Mirëpo, vonesat e konkretizimit të këtij koalicioni kishin ndodhur edhe për shkak të paknaqësive lidhur me emrat që do të merrnin pozicione brenda komunës nga radhët e PDK-së.
Emri më i përmendur për këtë gjë, ishte ai i Blerand Stavilecit, i cili u përmend si nënkryetar i mundshëm i Komunës së Prishtinës. Pas tij, si nënkryetar i Prishtinës nga radhët e PDK-së u përmend edhe Dardan Sejdiu. Por, asnjëri prej tyre nuk do ta merr këtë pozitë në kuadër të qeverisjes katër vjeçare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.