“Ne kemi nevojë për ndihmën e Izraelit. Pra, ne kemi nevojë për mbështetje teknike ushtarake. Ne kemi nevojë për Iron Dome, që do të na lejojë të shpëtojmë gratë dhe fëmijët tanë nga bombardimet ruse”, tha ambasadori i Ukrainës në Tel Aviv.
Ambasadori i Ukrainës në Tel Aviv, Yevgen Korniychuk, ka njoftuar se vendi i tij dëshiron të blejë sistemin e mbrojtjes ajrore “Iron Dome” nga Izraeli, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke folur në një konferencë për media në Tel Aviv, sipas gazetës “Jerusalem Post”, Korniychuk tha se presin që Tel Avivi të lejojë transportin e sistemit të raketave portative antitank ‘Spike SR’ të prodhimit izraelit nga Gjermania në Ukrainë.
Korniychuk deklaroi se amerikanët lejuan që raketat e përmendura antitank të transportoheshin nga Gjermania në Ukrainë, por Izraeli nuk e pranoi këtë.
– “Ne duam të blejmë, jo ta marrim hua”
Duke theksuar se duan të blejnë sistemin “Iron Dome”, Korniychuk tha se, “Ne kemi nevojë për ndihmën e Izraelit. Pra, ne kemi nevojë për mbështetje teknike ushtarake. Ne kemi nevojë për Iron Dome, që do të na lejojë të shpëtojmë gratë dhe fëmijët tanë nga bombardimet ruse. SHBA-ja nuk do të kundërshtojë shitjen. Ne duam ta blejmë atë, jo ta marrim hua”, tha ai.
Korniychuk theksoi zhgënjimin e tij për dështimin e Izraelit për të ofruar ndihmë ushtarake mbrojtëse dhe mbështetje teknike për Ukrainën, dhe refuzimin për të trajtuar ushtarët ukrainas në spitale.
– Ukraina në shtypin izraelit
Korniychuk ka theksuar se largimi pothuajse i plotë i Ukrainës nga media izraelite, mungesa e mbulimit dhe mosnjohja e lajmeve të luftës në shtyp pasqyrojnë pakënaqësinë e qeverisë izraelite me luftën. “Ne duam që qeveria izraelite të dalë nga zona e komfortit dhe të kthehet në realitet”, tha ai.
Administrata e Kievit kishte akuzuar më parë Tel Avivin për mospërputhje me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për sulmin në Ukrainë. /Fol Drejt/