Sipas shoqatës ‘Handlesverband Deutschland’, sektori i shitjes me pakicë në Gjermani do të shkurtohet me 9 mijë dyqane dhe biznese të vogla që pritet të mbyllen në vitin 2023.
Sipas shifrave të vitit 2021, njofton shoqata kombëtare e shitjes me pakicë në Gjermani, ky sektor është sektori i tretë më i madh në vend që përbën 17 për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Kreu i shoqatës ‘Handlesverband Deutschland’, Alexander von Preen, tha se duke marrë parasysh shifrat e viteve të fundit “të gjitha kambanat e alarmit do të bien në të gjitha qytetet e brendshme”, sepse sipas tij, pa shitje me pakicë të suksesshme, qendrat e qytetit nuk kanë asnjë perspektivë për të ardhmen.
“Nëse tregtia vdes, qyteti vdes. Tregtia nuk është vetëm furnizuesi i popullsisë, por karakterizohet edhe nga angazhimi i saj i larmishëm shoqëror në vend dhe gjithashtu është kujdestar i zonës kulturore të qytetit të brendshëm. Këto arritje janë në rrezik”, tha von Preen.
Sipas kreut të shoqatës së shitjes me pakicë në Berlin ‘Handlesverband Berlin’, Nils Busch-Petersen, situata në kryeqytetin Berlin është shumë më e keqe. Petersen për Anadolu tha se deri më tani janë mbyllur 2.500-3.000 biznese dhe ai pret që numri të rritet.
“Situata është e komplikuar, sepse industria e shitjes me pakicë është ende duke vuajtur, duke filluar me luftën në Ukrainë. Edhe gjithë degët e tjera kanë probleme, sepse sjellja e klientit ndryshoi totalisht. Ata po shohin shumë shumë me vëmendje buxhetet e tyre, kështu që ata zgjedhin, për shembull, ushqime organike, produkte rajonale për të cilat disa politikanë mendojnë se janë të rrënjosura thellë te klienti”, tha Petersen, duke theksuar se pikëpamja e konsumatorëve është një koncept i gabuar.
Sipas tij, konsumatorët “po ndryshojnë gjithçka, kështu që ne mendojmë se do të humbasim gjithnjë e më shumë shitës me pakicë”.
“Mijëra vitrina bosh në Berlin dhe rrethinat e tij nuk janë fundi”, theksoi ai.
Shoqatat dhe bizneset e shitjes me pakicë për ndryshimin në preferenca e klientëve përmendin luftën në Ukrainë dhe inflacionin pasues të çmimit të energjisë.
– “Rregullat e lojës ndryshuan”
Me parashikime të përziera për ekonominë gjermane, disa parashikues sugjerojnë se ekonomia do të rritet me vetëm 0,2 për qind, ndërsa disa të tjerë sugjerojnë se ajo do të tkurret duke e çuar vendin në një recesion teknik.
Inflacioni në baza vjetore në Gjermani, sipas statistikave federale, në muajin mars të këtij viti ishte 8,3 për qind.
Në vetëm një rrugë kryesore në lagjen e njohur Kreuzberg të kryeqytetit, Anadolu vërejti disa restorante dhe dyqane që kishin mbyllur përgjithmonë dyer e tyre.
Sing Jong Han, pronar i një restoranti ushqimor korean në Berlin, për Anadolu tha se “situata duket aq e keqe sa do të duhet të shesim restorantin tonë, sepse nuk ka asnjë rrugë përpara”.
Pronarët e bizneseve si Sing Jong dyshojnë për të ardhmen.
“Gjërat në të ardhmen e afërt ndoshta nuk do të jenë më mirë se sot, dua të them për situatën në përgjithësi. Jemi thjesht në një periudhë të re që nga viti 2022, që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Më parë, gjithçka ishte shumë mirë, llogaritë tona, kishim edhe klientë të mjaftueshëm. Por menjëherë pas luftës, gjithçka ndryshoi në mënyrë drastike. Disa nga këto probleme filluan që pas pandemisë, por efektet e luftës i çuan edhe më tej. Gjithçka ka ndryshuar, rregullat e lojës thjesht kanë ndryshuar. Le të fillojmë me çmimet, gjithçka është bërë më e shtrenjtë, gjithçka që i nevojitet një restoranti, materialet, gazi, energjia dhe gjithashtu edhe kostot e personelit”, tha Sing Jong.
Parashikimet e shoqatës kombëtare të shitjes me pakicë të Gjermanisë sugjerojnë se kanë mbetur 311 mijë dyqane në mbarë vendin.
Ata thonë se veçanërisht kostot më të larta po ushtojnë presion mbi shitjet dhe fitimet për kompanitë. Përveç kësaj, inflacioni i lartë çon në një humbje të fuqisë blerëse midis konsumatorëve.
“Duket e sigurt që restoranti ynë nuk do të mbijetojë këtë dimër në këto kushte”, tha Sing Jong, shpresa e të cilit është shuar./FolDrejt/