Forcat ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut filluan stërvitjet e tyre të përbashkëta ajrore në shkallë të gjerë që do të zgjasin pesë ditë, mes tensioneve në rritje në Gadishullin Korean.
Të dy vendet rifilluan stërvitjet e kombinuara ajrore pas një pauze katërvjeçare, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Agjencia e Lajmeve Yonhap njoftoi se rreth 240 avionë po marrin pjesë në stërvitje. Koreja e Jugut aktivizoi rreth 140 avionë, duke përfshirë avionët luftëtarë F-35A, ndërsa SHBA dërgoi gjithashtu rreth 100 avionë, duke përfshirë avionët luftëtarë F-35B që ndodhen në Okinawa, Japoni.
Stërvitjet e kombinuara ajrore u mbajtën fillimisht në vitin 2015 dhe më vonë u pezulluan nga administrata e presidentit të atëhershëm Moon Jae-in në vitin 2018, si pjesë e një përpjekjeje për pajtimin ndër-korean.
Këtë herë në stërvitje marrin pjesë edhe forcat ajrore australiane.
Seuli ka frikë se Koreja e Veriut gjithashtu mund të tregojë fuqinë e saj duke kryer teste raketore gjatë stërvitjeve të tyre të kombinuara.
Tensionet në Gadishullin Korean janë përshkallëzuar pas stërvitjeve të fundit ushtarake nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja, si dhe testet raketore të Koresë së Veriut.
Të premten, Pheniani lëshoi një tjetër raketë balistike “të paspecifikuar” pikërisht në kohën kur Koreja e Jugut ishte gati të përfundonte stërvitjen e saj vjetore Hoguk që zgjati 12 ditë, njoftuan mediat lokale, duke cituar një deklaratë ushtarake.
Koreja e Veriut lëshoi kohët e fundit një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në Detin Lindor, vetëm dy ditë pas lëshimit të dy raketave strategjike kryqëzyese me rreze të gjatë që përfshinin njësitë që operojnë “bombat nukleare taktike”.
Më 4 tetor, forcat e SHBA-së dhe Koresë së Jugut zhvilluan stërvitje të përbashkëta me municion të vërtetë pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë mbi Japoni për herë të parë në pesë vjet.
Tensionet në rajon filluan në vitin 2020 kur Koreja e Veriut sulmoi dhe shkatërroi zyrën e ndërlidhjes ndërkoreane përgjatë kufirit. Seuli është kërcënuar me një përgjigje të fortë nëse Pheniani “përkeqëson më tej situatën”./FolDrejt/