Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur gjatë ditës djeshme në takime nga lideri i shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kongresisti Steny Hoyer, kongresisti Darrell Issa dhe bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, senatori Ben Cardin dhe kongresisti Steve Cohen.
Gjatë takimit me kongresistin Hoyer, Presidentja Osmani diskutoi rreth rëndësisë së përkrahjes amerikane në Kosovë e më gjerë, si dhe për domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë e lirisë, e cila në Kosovë është arritur pas shumë sakrificave. Në takim po ashtu u bisedua rreth zhvillimeve në kontinentin evropian pas luftës në Ukrainë. Kongresisti Hoyer siguroi Presidenten Osmani që Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fuqishme amerikane, transmeton Fol Drejt.
Në takim me kongresistin Darrell Issa, i cili njëherësh është anëtar i grupit për çështje shqiptare, u diskutua për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si dhe për situatën e sigurisë në rajonin tonë. Presidentja Osmani e falënderoi kongresistin Issa që është një zë i rëndësishëm në përkrahje të Kosovës duke potencuar fushat e ndryshme të interesit të dyanshëm ku mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, në takime te ndara me bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ne Kongresin Amerikan, senatori Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen, Presidentja Osmani i falënderoj për mbështetjen që historikisht i kanë dhënë Kosovës dhe potencoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në periudhën në vijim të fuqizimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Gjatë takimit me senatorin Cardin dhe kongresistin Cohen, Presidentja Osmani diskutoi edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, sigurinë në kontinentin tonë, ndikimin malinj të Rusisë dhe nevojën që SHBA të jetë sa më shumë prezente në rajonin tonë./FolDrejt/