Për të gjashtën herë, zyrtarët policor janë sulmuar në veri të vendit. Së fundi ishte mëngjesi i hershëm i së martës , në fshatin Zupçe të Zubin Potokut, ku u sulmua me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare.
Nga Policia thanë se përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.
Ndërsa, më 16 prill, kanë ndodhur dy shpërthime, që dyshohet se janë shkaktuar nga mjete piroteknike, në Sharpej të Jarinjës.
“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Dyshohet se këto mjete piroteknike, me të cilat u sulmua policia kufitare e Kosovës, janë hedhur nga territori i Serbisë”, thuhej në njoftimin e policisë.
Sulmi tjetër me armë zjarri të tipit AK-47, ishte më 15 prill, në Gjurovic, derisa policia ishte duke shkuar për të ndërruar patrullën, pos dëmeve materiale, nuk pati asnjë të lënduar.
Më 14 prill, në fshatin Bubë, saktësisht në vendin që quhet Pragov, ku ishin gjuajtur katër deri pesë rafalle të shkurtra me rreth 30 fishekë dhe dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë, teksa nuk ka pasë të lënduar.
Bashkëngjitur gjeni një grafikë ilustruese me vendet ku kanë ndodhur sulmet ndaj policisë që nga 14 prilli.
Dy sulmet e para kishin ndodhur më 13 prill, njëri rreth orës 07:30, në Varagë, ku policia kishte hasur në rrugë në iriqë të hekurt të salduar dhe të ndërtuar nga metali i fortë që shërbejnë për të dëmtuar gomat e automjeteve, ishin të vendosur 47 iriq, të cilët mundësonin bllokimin e rrugës dhe dëmtimin e gomave të automjeteve.
Kurse, sulmi i dytë në të njëjtën ditë ndodhi nga ora 21:45, ku ndaj njësisë së policisë kufitare në Banjë ishin hedhur gurë, as këtu nuk kishte persona të lënduar.
Këto veprime shkaktuan reagime të shumëta në Kosovë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte shkuar për t’a vizituar nga afër veriun e vendit.
Ai në një konferencë për media para dy jave kishte thënë se këto sulme mund të jenë nga Serbia për ta destabilizuar situatën në Kosovë.
“Mendoj që qëllimi i Serbisë s’është në këtë moment që ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë Kosovën. Po ju them se situata në Kosovë është stabile falë institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe sjellje pro-ligjit të shumicës absolute të qytetarëve”.
“Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo nuk mund të rrezikojnë sigurinë në vendin tonë, tashmë ne këtë e kemi dëshmuar dhe do vazhdojmë ta dëshmojmë çdo ditë”, tha mes tjerash Sveçla, njofton Klankosova.tv.
Deri tani nuk është raportuar për asnjë të dyshuar apo arrestuar nga policia për këto sulme.