Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 62-të me radhë, në të cilën ka miratuar katër projektligje dhe dhjetë vendime tjera, transmeton Fol Drejt.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti tha se mbajtja e mbledhjes së 62-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës përkon me 11 mujorin e marrjes së mandatit qeverisës dhe ka theksuar se do të vazhdojë puna për të përmbushur programin qeverisës, duke u qëndruar besnik synimeve dhe jetësimit të të drejtave dhe interesit të qytetarëve të vendit.
Katër projektligjet e miratuara sot në mbledhje e që ishin propozime nga Ministria e Drejtësisë janë:
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare. Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është përmirësimi i mëtejmë i bashkëpunimit midis dy vendeve në çështjet civile dhe tregtare, si dhe ofrimi i mbrojtjes më efektive në realizimin e të drejtave dhe interesave të të dy shteteve dhe shtetasve të tyre. Kjo Marrëveshje zbatohet, parimisht, për të gjitha çështjet civile, përfshirë procedurat lidhur me statusin, marrëdhëniet familjare, të punës, trashëgiminë, pronësinë dhe marrëdhëniet tregtare të personave fizik dhe juridik.
Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, i cili për qëllim ka ekzekutimin e sanksioneve penale dhe masave të trajtimit të detyrueshëm dhe aplikimin e masës së paraburgimit, me synim të realizimit të risocializimit dhe riedukimit të personave të burgosur. Në këtë Projektligj janë trajtuar institutet e reja, siç janë lirimi i parakohshëm, lirimi me kusht, pezullimi i ekzekutimit të dënimit, paneli për lirim me kusht, trajtimi shëndetësor si dhe është bërë përpjekje për të trajtuar dhe adresuar tema të tjera me rëndësi të veçantë. Në këtë Projektligj gjithashtu është adresuar edhe e drejta në ankesë e të dënuarit ndaj vendimit të panelit për lirim me kusht.
Projektligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës i cili përcakton statusin, parimet, përgjegjësitë, menaxhimin dhe organizimin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës; kushtet e veçanta apo shtesë për rekrutim në Shërbimin Korrektues; të drejtat ose detyrimet specifike; rregullat e veçanta për zhvillimin e karrierës sipas sistemit të gradave, zhvillimin profesional dhe nevojat për trajnime, transferimin; dhe sistematizimin e nëpunësve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Projektligji për Shërbimin Sprovues të Kosovës që përcakton statusin, parimet dhe organizimin e përgjithshëm të këtij shërbimi, me qëllim të rehabilitimit dhe ri integrimit shoqëror të personave nën mbikëqyrje, parandalimin e veprave penale dhe uljen e rrezikut të përsëritjes së tyre, si dhe të kontribuojë në mbrojtjen e interesit publik. Ky Projektligj trajton dhe adreson të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin dhe fushën e veprimtarisë së Shërbimit Sprovues të Kosovës, si dhe qendrave rajonale sprovuese, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë merren me ekzekutimin e dënimeve dhe masave të tjera alternative.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, Avni Sahitin dhe Fidane Spahija Gjikollin për anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit. Vendimi bashkë me biografitë e kandidatëve të propozuar do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Miratimin e kabinetit ka marrë edhe vendimi për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për rishikimin e Planit të Reagimit Kombëtar të Republikës së Kosovës, në këtë përbërje:
1. Ministri i Punëve të Brendshme, Kryesues,
2. Zv. Sekretari i Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës – anëtar
3. Këshilltari për Siguri i Kryeministrit të Republikës së Kosovës – anëtar
4. Përfaqësues i Zyrës për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit – anëtar;
5. Përfaqësues i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit – anëtar;
6. Përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes – anëtar;
7. Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme – anëtar
8. Përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – anëtar;
9. Përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë – anëtar;
10. Përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë – anëtar;
11. Përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit –
12. anëtar;
13. Përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës -anëtar;
14. Përfaqësues nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë – anëtar;
15. Përfaqësues nga FSK- ja – anëtar;
16. Përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës – anëtar;
17. Përfaqësues i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave— anëtar.
Në grupin punues mund të ftohen edhe përfaqësues nga Presidenca e Republikës së Kosovës dhe nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ndërkaq në cilësinë e vëzhguesve dhe ekspertëve mund të ftohen përfaqësues nga Zyra për Bashkëpunim dhe Mbrojtjes në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , përfaqësues të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësues të Ambasadës të Japonisë dhe Organizata Jo-Qeveritare.
Me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve u plotësua Pakoja e Ringjalljes Ekonomike me një masë shtesë, masën 3.8 – Rritja e rezervave shtetërore. Miratimi i këtij vendimi është pasuar me miratimin e vendimit tjetër për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 10,000,000.00€ (dhjetë milionë euro) për masën 3.8.
U miratua gjithashtu propozimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për të ndarë mjete buxhetore në shumën prej 3.5 milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masat 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; 1.2 – Mbështetja e të punësuarve të formalizuar; 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave; 1.5 – Trajnimi dhe punësimi në TI dhe 3.1 – Mbështetja për familjet që kanë humbur kryefamiljarin.
Qeveria po ashtu ka ndarë 100 mijë euro për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatim të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masa 4.3 – Mbështetja e kulturës dhe sportit.
Ndërsa, me vendim të veçantë është autorizuar Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve që të aprovojë transferet nga nën programi i “Shpenzimeve të Paparashikuara” për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën prej 40 mijë euro.
Duke u bazuar në Ligjin e Arsimit Para Universitar në Republikën e Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, është e obliguar që të sigurojë të gjitha tekstet shkollore sikurse në gjuhën shqipe, edhe për komunitetet jo shumicë në gjuhën e të cilëve organizohet mësimi në Republikën e Kosovës. Në këtë mbledhje u miratua vendimin për ndarjen e mjeteve për pagesën e autorësisë së autorëve të teksteve të lëndëve nacionale në gjuhën turke dhe boshnjake. Me këtë vendim janë ndarë mjete në vlerë prej 78,000.00€ (shtatëdhjetë e tetëmijë euro) në kuadër të detyrimit ligjor për të siguruar tekstet shkollore për nxënësit e klasës I-IX.
Qeveria gjithashtu ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme private, të cilat preken nga ndërtimi i “Shiritit për Rreshtim” për hyrje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në zonën Kadastrale të Komunës së Prishtinës.
Në fund të mbledhjes së 62-të, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, u miratua edhe vendimi për vazhdimin e afatit të mbetjes në fuqi të Vendimit Nr. 01/51 i datës 24.12.2021 për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditët e ardhshme. Në arsyetimin e miratimit të këtij vendimi është theksuar se gjendja e furnizimit me energji vazhdon të jetë e rëndë dhe masat e miratuara me këtë vendim kanë lehtësuar menaxhimin e situatës së krijuar dhe konsiderohet se një ndikim i tillë pozitiv në menaxhimin e situatës do të vazhdojë./FolDrejt/