Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshje për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve
Në kuadër të Procesit të Berlinit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët marrin pjesë në një samit në Gjermani të organizuar nga kancelari Olaf Scholz, kanë nënshkruar tre marrëveshje përmes të cilave synohet jetësimi i tregut të përbashkët rajonal, shkruan Anadolu Agency (AA), transmeton Fol Drejt.
Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor njoftojnë se liderët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës (BeH) nënshkruan marrëveshje për lëvizjen e lirë me letërnjoftime midis gjashtë vendeve, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, të gjitha këto bazuar në rregullat e Bashkimit Evropian (BE).
Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare synon forcimin e bashkëpunimit midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e reformave, tregun e përbashkët, njohjen reciproke të kualifikimeve profesioneve dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Marrëveshjet gjithashtu synojnë të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e përshpejtuar ekonomik rajonal.
Sot në Berlin, kancelari Olaf Scholz ka mbledhur së bashku në një samit liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar zgjerimin e BE-së, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë energjetike, ku të pranishëm janë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel./FolDrejt/