Komisioni Evropian (KE) ka nxjerrë udhëzime të reja se si kompanitë nga Bashkimi Evropian (BE) mund të paguajnë për gazin rus në rubla pa shkelur sanksionet e vendosura nga blloku ndaj Moskës.
Masa erdhi pasi KE muajin e kaluar shpalli se pagesa e gazit Rusisë në rubla do të shkelte sanksionet ekzistuese, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Udhëzimet e reja thonë se kompanitë evropiane mund të kryejnë pagesat Rusisë duke përmbushur disa kushte.
Kompanitë mund të hapin një llogari në një bankë të caktuar nga Rusia për të paguar gazin. Megjithatë, këto pagesa mund të bëhen vetëm në monedhën e rënë dakord në kontratat e tyre ekzistuese. Transaksionet do të konsiderohen të përfunduara kur kjo monedhë të paguhet në bankë.
Meqenëse kompanitë nuk do të bëjnë biznes me Bankën Qendrore Ruse ndërsa paguajnë për blerjen e gazit rus në euro ose dollarë, ato nuk do të shkelin sanksionet e BE-së, sipas KE-së.
Më 31 mars, presidenti rus Vladimir Putin lëshoi një dekret sipas të cilit “vendet armike” duhet të paguajnë për furnizimet me gaz në rubla pasi fondet devizore të Bankës Qendrore Ruse ngrinë për shkak të luftës në Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt.
Rusia ka prezantuar një sistem të ri pagese për dërgesat e gazit, i cili kërkon hapjen e një llogarie bankare në Gazprom Bank, ku pagesat në euro ose dollarë do të konvertohen në rubla.
Gjigandi rus i energjisë Gazprom më vonë njoftoi se kishte pezulluar furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë për shkak të refuzimit për të paguar në rubla./FolDrejt/