Ministrat e Brendshëm të Ukrainës, Polonisë, Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë nënshkruan deklaratë të përbashkët bashkëpunimi.
Ceremonia e nënshkrimit të deklaratës u zhvillua në aeroportin “Antonov” në qytetin Hostomel në rajonin e kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Brendshëm ukrainas Denys Monastyrsky, ministri i Brendshëm polak Mariusz Kaminski, ministri i Brendshëm estonez Kristian Jaani, ministrja e Brendshme lituaneze Agne Bilotaite dhe ministrja e Brendshme letoneze Marija Golubeva.
Në një fjalim të mbajtur këtu, Monastyrsky vuri në dukje rëndësinë e deklaratës që nënshkruan. “Kjo deklaratë përfshin çështje si hetimin e krimeve të luftës që kanë kryer ushtarët rusë, pastrimin e minave, mbrojtjen e emigrantëve ukrainas jashtë vendit dhe trajtimin e ushtarëve të plagosur”, tha ai.
Pasi tërhoqi vëmendjen se janë në vendin ku ndodhen rrënojat e avionit “Antonov An-225 Mriya” që njihej si avioni më i madh transportues në botë, Monastyrsky tha se “Ky vend është i veçantë për mua. Dy ditë para fillimit të luftës e vizitova këtë aeroport. Ata morën nga ne avionin Mriya, por shpresa jonë nuk mund të merret kurrë nga ne”.
Ai theksoi se është formuar Qendra Ndërkombëtare e Koordinimit për Çminimin Humanitar të lidhur me Ministrinë e Brendshme të Ukrainës.
“Do të jemi pranë deri në fitoren e Kievit”
Ministri i Brendshëm polak Mariusz Kaminski tha se mbështesin popullin e Ukrainës. “Ndodhemi pranë Ukrainës që nga fillimi i sulmeve ruse dhe do të jemi pranë deri në fitoren e Kievit”, tha ai.
Ndërsa ministrja e Brendshme letoneze, Marija Golubeva tha se Rusia po përpiqet të shkatërrojë qytetet e Ukrainës dhe shtoi se “Rusët në vendet ku hynë lënë shkatërrime, vrasin civilët, shkatërrojnë infrastrukturën”.
“Ukraina po lufton për demokracinë dhe lirinë”, u shpreh Golubeva duke shtuar se do të vazhdojnë të sigurojnë mbështetje për popullin e Ukrainës.
Pas ceremonisë, u ndanë çmime për ushtarët që kanë marrë pjesë në luftimet në aeroportin “Antonov”./FolDrejt/