Ushqimi që hamë mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e diabetit të tipit 2, ka zbuluar një studim i ri.
Siç shpjegohet nga ekspertët amerikanë që kanë punuar në hulumtimin e lartpërmendur, ushqime të caktuara shkaktojnë shfaqjen e diabetit të tipit 2, transmeton The Sun, përcjell Fol Drejt.
Bëhet fjalë për orizin e bardhë, bukën dhe mishin e përpunuar.
Shkencëtarët studiuan zakonet e të ngrënit të njerëzve në 184 vende për të parë se si ushqimi ndikon në shëndetin e tyre të përgjithshëm.
Ata njerëz që zakonisht hanin më shumë karbohidrate të rafinuara, si buka e bardhë, brumi i picës, makaronat, të cilat përmbajnë sheqer dhe u mungojnë fibra dhe lëndë ushqyese, kishin më shumë gjasa të zhvillonin diabetin e tipit 2.
“Studimi ynë sugjeron se karbohidratet me cilësi të dobët janë nxitësi kryesor i diabetit të tipit 2 në mbarë botën. Njerëzit hanë gjithashtu shumë mish të kuq dhe të përpunuar, si proshutë, salcice, sallam e të ngjashme”, shpjegon Dariush Mozaffarian, profesor i të ushqyerit dhe një nga autorët kryesorë të studimit të lartpërmendur.
Orizi i bardhë, buka dhe mishi i përpunuar janë nxitësit kryesorë të më shumë se 14 milionë rasteve të reja të diabetit të tipit 2 në vitin 2018, sipas një studimi, rezultatet e të cilit u botuan së fundmi në revistën Nature Medicine.
Ekspertët vlerësuan gjithashtu se shtatë nga çdo dhjetë raste të diabetit të tipit 2 në mbarë botën në vitin 2018 ishin të lidhura me zgjedhje të dobëta ushqimore.
Ata zbuluan gjithashtu se konsumimi i ushqimit të pashëndetshëm është një shkaktar më i shpeshtë i diabetit të tipit 2 sesa marrja e pamjaftueshme e ushqimeve të shëndetshme, veçanërisht te meshkujt./FolDrejt/