KFOR dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës derisa ata po kryenin punën e tyre dhe shton se liria e shtypit dhe e shprehjes janë vlera themelore që të gjithë duhet t’i respektojnë, njoftoi sot KFOR-i.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet apo lëvizjet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre të sigurt”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se pas incidenteve të 29 majit, në të cilat një numër i madh i pjesëtarëve të misionit të KFOR-it u lënduan, trupa shtesë u dislokuan nëpër komunat në veri të Republikës së Kosovës për të parandaluar konflikte të reja të mundshme.
“KFOR vazhdon të përmbushë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999 dhe mbështet plotësisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së, si e vetmja rrugë e mundshme. Përveç kësaj, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të rregullt me kolegët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e forcave të armatosura serbe, EULEX-it, si dhe zyrës përfaqësuese të OSBE-së”, thuhet në deklaratë./FolDrejt/