Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, ka thënë se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj.
Gallieni ka thënë se grupet e dhunshme janë organizuar për të sulmuar, dhe se i takon Policisë së Kosovës që t’i identifikojë ato.
Atë ditë protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, dhe të plagosur ka pasur prej të dyja anëve.
Në një konferencë për media, Gallieni, i ka komentuar të premten ngjarjet që kanë ndodhur në veri të Kosovës, prej 29 majit.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet hakmarrëse. Sepse, siç e kanë dëshmuar edhe këto ngjarje, gjithçka mund të përshkallëzohet në nivel të madh të dhunës, prandaj është shumë e rëndësishme që të gjitha palët t’i kenë parasysh pasojat dhe rreziqet e veprimeve të tyre”.
Ai ka thënë se të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Njëra palë, për marrjen e vendimeve, pa e marrë parasysh shkallën e sigurisë, dhe pala tjetër të reagojë për veprimet e dhunshme që janë parë në mesin e protestuesve”. /REL/