KFOR-i ka dhënë detaje në lidhje me takimet që ka pasur ditëve të fundit me kryeministrin Kurti dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.
Në një komunikatë për media misioni i KFOR-it thotë se komandanti gjeneralmajor Ferenc Kajari me kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Listës Serbe si dhe drejtuesit e katër komunave veriore të Kosovës diskutoi për situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe i informoi palët për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të vazhduar sigurimin e lirisë së lëvizjes dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të situatës.
“Ai tha se KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftim.
KFOR-i thotë se nuk ka pasur stërvitje të përbashkëta me Policinë e Kosovës apo FSK-në.
“Komandanti i KFOR-it, në përputhje me deklaratat e mëparshme, ka bërë të qartë se trupat e KFOR-it nuk kanë qenë të angazhuara në aktivitete stërvitore me Policinë e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, siç thuhet gabimisht në disa raportime mediatike”.
Kajari gjatë këtij takimi përsëriti gjithashtu se KFOR-i i monitoroi me shqetësim postblloqet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe rikujtoi rrezikun që një situatë kaq e tensionuar të përfundojë me incidente të dhunshme.
“KFOR-i mbetet i paanshëm dhe i përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën mund të vazhdojë Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Gjenerali Kajari u bëri thirrje palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, të ruajnë përmbajtjen dhe të përmbahen nga dhuna”, thuhet në fund të komunikatës së KFOR-it./Telegrafi/