Në ditën e 63 të luftës forcat e armatosura të Ukrainës kanë pranuar humbjen e disa qyteteve dhe fshatrave në rajonet lindore ndërsa Rusia rrit ofensivën e saj tokësore.
Luftimet e ashpra po vazhdojnë në tre fronte, me forcat ruse që përforcohen dhe furnizohen nga bazat brenda Rusisë. Kështu deklaroi zëdhënësi i ushtrisë ukrainase.
Krahas humbjeve, autoritetet ukrainase thanë se nëntë sulme të armikut u zmbrapsën vetëm në rajonet Donetsk dhe Luhansk, me pajisje ruse të shkatërruara duke përfshirë nëntë tanke dhe 11 sisteme artilerie.
Trupat ukrainase në thelb po luftojnë në tre drejtime për të parandaluar forcat ruse të marrin nën kontroll të gjitha rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, duke qenë se ky ka qenë qëllimi i Kremlinit.
Nga veriu, njësitë ruse po sulmojnë në drejtim të një qyteti në jug të Izium, dhe kanë marrë fshatin Zavody. Ukrainasit pranuan se rusët kishin pushtuar edhe periferi të vendbanimit Velyka Komyshuvakha në të njëjtën zonë.
Nga lindja, forcat ruse kanë marrë kontrollin e qytetit Zarichne dhe kanë filluar të sulmojnë Yampil.
Zëdhënësi tha se operacionet ofensive ruse u përqendruan gjithashtu në zonat Severodonetsk, Popasna dhe Kurakhiv. Trupat ruse kanë marrë kontrollin e Novotoshkivske dhe po përpiqen të avancojnë më tej drejt perëndimit.
Në jug, forcat ruse po përpiqen për një urë tokësore për në Krime dhe të pushtojnë rajonet bregdetare të Ukrainës.
Komanda jugore e forcave të armatosura të Ukrainës tha se njësitë ruse po rigrupohen dhe po përpiqen të kalojnë në veri drejt qytetit të Kryvyi Rih dhe në rajonin e Zaporizhzhia./abcnews.al