Në një postim në facebook, deputetja tashmë në radhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, duke kritikuar kështu qeverinë e Kosovës.
Duke përmendur takimin e Vuçiqit me delegacionin ekonomik amerikan, ajo i ka shtruar një pyetje qeverisë së Kosovës duke e pyetur se ku është diplomacia dhe lobimi i institucioneve të Kosovës.
Kica-Xhelili ka reaguar edhe në lidhje me kritikat që ka pranuar së fundmi qeveria e Kosovës nga SHBA.
“Qetësia me të cilën po i pranojmë kritikat nga Departmenti i Shtetit Amerikan është e pakuptimtë. E njëjtë heshtja lidhur me to.
Kur Blinken përmendi njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, ky togfjalësh përmendej gati në çdo fjalim politik, gati në tentativë të legjitimimit të miqësisë.
Por kur sot shprehet zhgënjim me qasjen tonë, ajo që bëhet euforike është heshtja, por me çfarë kosto? Në këmbim të çkaje? Letrave qortuese pa efekt praktik me kosto të lëndimit të raportit me aleatët tonë kyq?” – është shprehur Kica-Xhelili./FolDrejt/