Ofruesi i energjisë bërthamore të Ukrainës ka akuzuar Rusinë për kidnapim të drejtorit të përgjithshëm të termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, Ihor Murashov.
Forcat ruse kapën drejtorin e përgjithshëm të termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, rreth orës 16:00 të së premtes, tha kompania shtetërore bërthamore ukrainase, Energoatom.
Energoatom tha se trupat ruse ndaluan makinën e Murashovit, ia lidhën sytë dhe e çuan në një vend të panjohur.
“Ndalimi i tij nga Rusia rrezikon sigurinë e Ukrainës dhe termocentralit më të madh bërthamor në Evropë”, tha presidenti i Energoatom, Petro Kotin.
Kotin kërkoi nga Rusia lirimin e menjëhershëm të Murashov, raporton Independent, transmeton Klankosova.tv.
Reaktori i fundit i uzinës u mbyll në shtator mes bombardimeve të vazhdueshme pranë objektit.