Ministri ukrainas i Mbrojtjes tha të shtunën se vendi i tij mund të provokohet për shkak të tensionimit nga Rusia të gjendjes në zonën e konfliktit në rajonin lindor Donbass të Ukrainës. Ministri, Andrii Taran, tha se akuzat ruse për shkelje të të drejtave të popullatës rusishtfolëse mund të jenë arsyeja për një rifillim të agresionit të armatosur kundër Ukrainës.
Kievi ka ngritur alarmin rreth një grumbullimi të forcave ruse pranë kufirit midis Ukrainës dhe Rusisë dhe për një shtim të dhunës përgjatë vijës së kontaktit që ndan trupat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia në Donbass.
Lëvizjet ushtarake ruse kanë nxitur shqetësimet se Moska po përgatitet të dërgojë forca në Ukrainë. Kremlini mohon që trupat e tij përbëjnë kërcënim, por thotë se ato do të qëndrojnë aty për sa kohë që Rusia e gjykon të arsyeshme.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe homologët e tij francezë dhe gjermanë i bënë thirrje Rusisë të premten për të ndalur grumbullimin e trupave dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për Kievin në përballjen e tij me Moskën.