Udhëheqësi i Koresë së Veriut, diktatori Kim Jong Un tha se është detyrë e grave të ndalojnë rënien e lindshmërisë në atë vend në mënyrë që të forcojnë fuqinë kombëtare, njoftuan sot media shtetërore.
Kim e bëri thirrjen të dielën gjatë të ashtuquajturit takimi kombëtar i nënave, i pari i këtij lloji në 11 vitet e fundit, dhe tha se ishte e rëndësishme të ndalohej rënia e nivelit të lindjeve dhe të sigurohet kujdes dhe edukim i mirë për fëmijët, raporton AP.
Megjithëse marrja e të dhënave të sakta për trendet e popullsisë në Korenë e Veriut është jashtëzakonisht e vështirë për shkak të statistikave të kufizuara që publikohen, qeveria e Koresë së Jugut vlerëson se shkalla e lindjeve në Korenë e Veriut ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë 10 viteve të fundit.