Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un tha se vendi i tij synon të jetë forca strategjike më e fuqishme në botë.
Kim Jong-un mori pjesë në ceremoninë për rritjen e gradave të zyrtarëve ushtarakë që morën pjesë në testimin e raketës balistike ndërkontinentale (ICBM) që u krye në vend më 18 nëntor, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një fjalim, Kim Jong-un duke iu referuar raketës Hwasong-17 që u lëshua më 18 nëntor tha se raketa është “arma strategjike më e fuqishme në botë”.
“Raketa Hwasong-17 ka treguar aftësinë e Koresë së Veriut për të formuar një ushtri të fuqishme”, deklaroi Kim Jong-un duke shtuar se “Objektivi ynë kryesor është të kemi forcën strategjike më të fuqishme në botë”.
– Vajza e Kim Jong-un për herë të dytë para kamerave
Në ceremoni është vërejtur se lideri koreano-verior shoqërohet edhe nga vajza e tij e cila doli para kamerave për herë të parë në testimin e raketës Hwasong-17.
Fakti që Kim Jong-un është parë për herë të dytë me vajzën e tij brenda një periudhe të shkurtër 10 ditore, në shtypin ndërkombëtar është komentuar se “udhëheqja e vendit mund të kalojë nga babai tek vajza”.
Koreja e Veriut më 18 nëntor lëshoi raketën balistike ndërkontinentale (ICBM). Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i bëri thirrje Koresë së Veriut që “të distancohet nga provokimet e panevojshme dhe të rikthehet në diplomacinë serioze dhe të vazhdueshme”.
Ministrat e Jashtëm të vendeve G7, më 20 nëntor publikuan një deklaratë të përbashkët e cila bën thirrje që të ndërmerren hapa të fuqishëm nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së si reagim ndaj lëshimit të raketës nga Koreja e Veriut./FolDrejt/