“Vetëm kur dikush është i pajisur me aftësi të frikshme goditëse, fuqi ushtarake dërrmuese që nuk mund të ndalet nga askush, vetëm atëherë është e mundur që dikush të parandalojë luftën”, tha kreu i Koresë së Veriut
Pasi lëshimi i një rakete të re balistike ndërkontinentale (ICBM) nga Koreja e Veriut shkaktoi një reagim të ashpër nga OKB-ja, SHBA-ja dhe aleatët e saj, Kim Jong-un tha se aftësitë e fuqishme goditëse “garantojnë sigurinë e vendit”, shkruan AA.
“Vetëm kur dikush është i pajisur me aftësi të frikshme goditëse, fuqi ushtarake dërrmuese që nuk mund të ndalet nga askush, vetëm atëherë është e mundur që dikush të parandalojë luftën, të garantojë sigurinë e vendit dhe të përmbajë e të vë nën kontroll të gjitha kërcënimet dhe shantazhet nga imperialistët”, tha Kim Jong-un në një ceremoni të zyrtarëve, shkencëtarëve, teknikëve dhe punëtorëve në fushën e industrisë së mbrojtjes që kontribuan në testimin e suksesshëm të raketës Hwasongpho-17.
Sipas medias shtetërore KCNA, Koreja e Veriut të enjten testoi një “lloj të ri” të raketës balistike ndërkontinentale (ICBM) drejt Detit Lindor.
Testi u monitorua personalisht nga Kim dhe shkaktoi reagime të ashpra nga OKB-ja, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia.
Pas lëshimit të raketës, Washington-i zyrtar sanksionoi gjashtë persona të lidhur me Phenianin ndërsa i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të merrte një qëndrim më të ashpër ndaj Koresë së Veriut.
Megjithatë, Kim pohoi se Koreja e Veriut “do të vazhdojë të arrijë qëllimin e zhvillimit të mbrojtjes dhe të zhvillojë mjete sulmi shumë më të fuqishme për të pajisur ushtrinë tonë me to”.
Koreja e Veriut është nën sanksionet e OKB-së që nga viti 2006 për programin e saj bërthamor, të cilin ajo ka refuzuar ta braktisë. Përveç kësaj, Washington-i ka vendosur sanksionet e veta ndaj vendit, duke ndëshkuar më tej shtetin komunist./FolDrejt/