Duke theksuar se dialogu është “mënyra e vetme” për të arritur paqen në Gadishullin Korean, Kina ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) nuk duhet të “nxisë tensionet” dhe se duhet të “luajë një rol konstruktiv në vend që të ushtrojë presion”.
Zv.shefi i Kinës në OKB, Geng Shuang, po ashtu i bëri thirrje SHBA-së të ndërmarrë hapa konkrete për të adresuar “shqetësimet legjitime” të Koresë së Veriut në mes të lëshimeve të përsëritura të raketave nga Pheniani, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Diskutimet e Këshillit të OKB-së duhet të kontribuojnë në de-përshkallëzim, jo të nxisin tensionet. Të promovojnë rifillimin e dialogut, jo zgjerimin e dallimeve. Të krijojnë unitet, jo ndarje”, tha Geng.
Duke e quajtur dialogun “mënyrë të vetme të duhur” për të zgjidhur çështjen e Gadishullit Korean, Geng tha se Kina kërkoi nga SHBA-ja të “ndërmarrë veprime konkrete, të tregojë sinqeritetin e saj dhe të adresojë shqetësimet legjitime të Koresë së Veriut, në mënyrë që të krijojë kushte për rifillimin e hershëm të dialogut”.
Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së u thirr për të diskutuar lëshimin e fundit të raketës nga Koreja e Veriut, e cila fluturoi mbi Japoni dhe ra në Detin Lindor.
Kjo shënoi herën e parë që Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë balistike mbi arkipelagun japonez në pesë vite.
Pheniani lëshoi dy raketa të tjera mëngjesin e sotëm pasi forcat amerikane kryen stërvitje të veçanta ushtarake me Japoninë dhe Korenë e Jugut në përgjigje të gjuajtjes së të martës të një rakete balistike me rreze të gjatë veprimi nga Pheniani.
“Në këtë moment kritik, të gjitha palët e interesuara duhet të ushtrojnë përmbajtje, të jenë të kujdesshëm në fjalë dhe veprime, si dhe të shmangin lëvizjet që mund të përkeqësojnë tensionet ose që mund të çojnë në llogaritje të gabuara, në mënyrë që të parandalojnë një përshkallëzim të situatës në gadishull”, tha Geng në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sipas tij, për çështjet e Koresë së Veriut “OKB-ja duhet të luajë një rol konstruktiv në vend që të ushtrojë vetëm presion”.
Të shtunën, Koreja e Veriut gjithashtu lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Detin Lindor.
Përshkallëzimi i tensioneve në Korenë e Veriut mendohet se është përgjigje e një stërvitje të përbashkët ushtarake nga Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Japonia në Detin Lindor.
Sot, Pheniani gjithashtu dënoi rivendosjen e një aeroplanmbajtëse të SHBA-së me energji bërthamore në ujërat e Koresë së Jugut dhe e quajti atë “kërcënim serioz për stabilitetin e situatës në Gadishullin Korean”.
Ajo akuzoi SHBA-në për përshkallëzimin e tensioneve ushtarake në Gadishullin Korean.
Të mërkurën, ushtria e Koresë së Jugut tha se SHBA-ja do të rivendosë aeroplanmbajtësen e saj me energji bërthamore në ujërat e Koresë së Jugut pas lëshimit të një rakete balistike nga Koreja e Veriut.
Aeroplanmbajtësja ‘USS Ronald Reagan’, e cila javën e kaluar u largua nga gadishulli pas një stërvitje të përbashkët detare me SHBA-në, Korenë e Jugut dhe Japoninë, tani do të kthehet në Detin Lindor.
Tensionet në gadishull u rritën në vitin 2020 kur Koreja e Veriut sulmoi dhe hodhi në erë zyrën e ndërlidhjes ndër-koreane përgjatë kufirit. Seuli ka kërcënuar me një përgjigje të fortë nëse Pheniani “përkeqëson më tej situatën”.
Megjithatë, tensionet u rritën më tej vitin e kaluar kur Seuli dhe Pheanini ngritën stërvitjet ushtarake për të treguar fuqinë e tyre./FolDrejt/