Miku njihet që është mik, në të keq e në rrezik, thotë një aforizëm shqiptare. Këtë princip e kanë ditur edhe komunistët, të cilët janë munduar të zbatojnë strikt mësimet e Marksit. Kjo dëshmohet me publikimin e disa dokumentave sekrete, sesi Kina është munduar të përdorë “çdo metodë” për të ruajtur nga shkatërrimi Gjermaninë Lindore (DDR).
Kina sapo kishte kaluar krizën e demonstratave në sheshin Tianmen të Pekinit, ku gjatë 3 dhe 4 qershorit 1989 u vranë rreth 2000 protestues kinezë që kërkonin më shumë liri. Në atë periudhë, Gjermania Lindore do e përshëndeste qeverinë kineze që iu dha fund protestave në sheshin kryesor të Pekinit.
Dokumenti që botohet për herë të parë
Në 27 tetor 1989, pak përpara se të rrëzohej Muri i Berlinit, ministri kinez Lin Hanxiong, fton ambasadorin e Gjermanisë Lindore në Pekin, Rolf Berthold në takim. Ai i jep një ofertë si vijon: “fati i socializmit në Gjermaninë Lindore ka rëndësi strategjike për socializmin botëror, jo vetëm për mundësinë e fitimit të socializmit në Kinë. Udhëheqësia komuniste kineze është gati, që të bëjë gjithçka që është e mundur, për të shpëtuar socializmin në Gjermaninë Lindore (DDR),” përcjell foldrejt.com.
Si masë konkrete Kina i ofronte punëtorë të kualifikuar Gjermanisë Lindore, të cilët do punonin gratis dhe pa deviza – vetëm e vetëm që të ndihmonin ekonomikisht vendin e fundit socialist në Perëndim të Europës.
Por dukej se Kina ishte vonë me ofertën, pasi mijëra gjermanolindorë arratiseshin drejt Çekisë dhe Gjermanisë Perëndimore. Ata kërkonin një jetë më të mirë dhe përballë kësaj vale refugjatësh dhe pakënaqësish në vend, nuk kishte forcë botërore që mund të shpëtonte sistemin e kalbur komunist të Berlinit lindor.
Por ama është edhe një ironi e historisë, që Kina prej atëherë do proklamonte një kalim të lehtë mes komunizmit dhe kapitalizmit, duke e kthyer viteve të fundit në shtetin e dytë më të fuqishëm të botës./Foldrejt.com