Një tërmet me magnitudë 5.5 ballë të shkallës Rihter goditi sot pjesën lindore të Kinës, duke plagosur të paktën 21 persona dhe duke shkatërruar dhjetëra shtëpi, raportojnë mediat shtetërore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Tërmeti ka ndodhur në një thellësi prej 10 kilometrash, raporton gazeta “South China Post”.
Tërmeti goditi rrethin Pingyuan, 345 kilometra në jug të Pekinit, në provincën Shandong në orën 2:33 të mëngjesit me orën lokale dhe u ndje në disa zona në veri të Kinës, përfshirë kryeqytetin dhe Tianjin si dhe provincat Henan dhe Hebei.
Të paktën 21 persona u plagosën nga tërmeti ndërsa 126 ndërtesa në zonën e tërmetit u shembën, raporton “Xinhua News” me bazë në Pekin.
Disa video të postuara në internet tregojnë banorët në panik që nxitojnë jashtë për të kërkuar strehim, ndërsa llambadarët dhe mobiliet dridhen në shtëpi.
Qeveria qendrore dërgoi ekipet e shpëtimit në terren ndërsa hekurudhat pezulluan të gjitha linjat që kalonin ose niseshin nga rajoni i prekur.