“Kina ka mbajtur qëndrim objektiv dhe të justifikuar, duke bërë thirrje për arritjen e një armëpushimi sa më parë dhe për të shmangur një krizë humanitare”, zëdhënësi Wenbin.
Kina ka kërkuar nga ShBA dhe NATO që të zhvillojnë dialog me Rusinë për të “zgjidhur shkakun rrënjësor të krizës në Ukrainë”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas transmetuesit publik kinez CGTN, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Wenbin në një konferencë për media tha se “ShBA dhe NATO duhet të angazhohen në dialog me Rusinë për të zgjidhur shkakun rrënjësor të krizës në Ukrainë”.
Liderët e NATO-s sot janë në një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel për të diskutuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës, që filloi më 24 shkurt.
“Për të zgjidhur krizën, ne kemi nevojë për racionalizëm dhe qëndrim gjakftohtë në vend që të ndezim flakët. Rifillimi i paqes ka nevojë për dialog, jo për shtrëngim, ka nevojë për stabilitet afatgjatë. Konfrontimi grupor nuk do të funksionojë”, tha Wenbin.
Sipas tij, pretendimet se Kina po përhap dezinformata mbi situatën në Ukrainë është “vetë dezinformatë”.
“Kina ka mbajtur qëndrim objektiv dhe të justifikuar, duke bërë thirrje për arritjen e një armëpushimi sa më parë dhe për të shmangur një krizë humanitare”, theksoi ai.
Dje, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s janë të shqetësuar se Kina do të ofronte mbështetje materiale për luftën ruse.
Liderët e NATO-s, tha Stoltenberg, po ashtu janë të vendosur t’i kërkojnë Bjellorusisë që t’i japë fund bashkëpunimit në luftë si dhe Kinës që të “përmbushë përgjegjësitë e saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të përmbahet nga mbështetja e përpjekjeve luftarake të Rusisë dhe t’i bashkohet pjesës tjetër të botës duke bërë thirrje për një fund paqësor të kësaj lufte”.
Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 977 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe rreth 1.600 të tjerë janë plagosur. Megjithatë, OKB-ja ka paralajmëruar se numri i saktë duket se është shumë më i lartë pasi OKB-ja nuk ka qasje në zonat me armiqësi të shtuara.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) njofton se mbi 3.6 milionë ukrainas janë detyruar të lëshojnë Ukrainën drejt vendeve fqinje si pasojë e luftës./FolDrejt/