Duke i kërkuar qeverisë gjermane të “dëgjojë me kujdes” “zërat e brendshëm të arsyes”, Kina ka denoncuar me forcë raportet se Berlini po “konsideron” ndalimin e disa komponentëve të kompanive kineze Huawei dhe ZTE në rrjetet e saj të telekomunikacionit, shkruan Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
Duke iu referuar të dhënave evropiane, Ambasada Kineze në Berlin tha në një deklaratë se “Huawei përbën gati 60% të pajisjeve të rrjetit 5G të Gjermanisë, duke dhënë kontribut pozitiv në ndërtimin e infrastrukturës së komunikimit të Gjermanisë”.
“Për një kohë të gjatë, Huawei ka funksionuar në përputhje me ligjet dhe rregulloret, dhe teknologjia e saj përputhet me standardet e sigurisë”, thuhet në deklaratën e lëshuar të martën mbrëma.
Më herët të martën, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme gjermane ipaidentifikuar kishte thënë se qeveria “po kryente një rishikim të përgjithshëm të furnizuesve të teknologjisë së telekomit”, por shtoi se ai “nuk u drejtohej prodhuesve specifikë”.
“Në vitet e fundit, vendet dhe forcat kundër Kinës kanë vazhduar të përpiqen të njollosin Huawei me akuza të sajuara, por kurrë nuk ka pasur asnjë provë që pajisjet dhe komponentët e Huawei paraqesin rreziqe sigurie”, tha ambasada kineze.
“Nëse raporti është i vërtetë”, atëherë Pekini “është shumë i hutuar dhe shumë i pakënaqur me vendimin e nxituar të marrë nga departamenti përkatës i qeverisë gjermane pa bazë faktike”, shtoi ai.
“Kina kundërshton me vendosmëri gjeneralizimin e konceptit të sigurisë kombëtare nga Gjermania dhe abuzimin me pushtetin shtetëror për të ndërhyrë në treg në bashkëpunimin e saj me Kinën”, tha ambasada.
“Kjo jo vetëm që shkel ligjet ekonomike dhe parimin e konkurrencës së ndershme, por gjithashtu dëmton të tjerët dhe nuk përfiton vetë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Pekini me vendosmëri “kundërshton çdo praktikë të politizimit të investimeve dhe menaxhimit të korporatave dhe pan-siguritizimit të tyre”.
Sipas deklaratës, “Shpresohet që pala gjermane të krijojë një mjedis biznesi të drejtë, të hapur dhe jodiskriminues për kompanitë kineze dhe të bëjë më shumë për të promovuar përfitimin e ndërsjellë në vend të të kundërtës”. /FolDrejt/