Autoritetet kineze mbyllën përkohësisht të martën vendet turistike në Shangai, përfshirë Shanghai Disney Resort, pas rritjes së fundit të rasteve me COVID-19.
Shanghai Disney Resort njoftoi mbylljen në përputhje me masat e parandalimit dhe kontrollit të pandemisë vetëm katër ditë pasi rifilloi funksionimin më 25 nëntor, raportoi media shtetërore Global Times, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Shangai, i cili shtrihet në bregun qendror të vendit, është qyteti më i madh dhe qendra financiare e Kinës.
Në fundjavë, u mbajtën protesta të mëdha në qytet kundër politikës së rreptë ndaj pandemisë së koronavirusit, ndërsa policia përdori sprej për të shpërndarë qindra demonstrues që ishin mbledhur në rrugë në mesnatë.
Protestuesit mbanin lule, qirinj dhe pankarta ku shkruhej: “Urumqi, 24 nëntor, ata që vdiqën u prehshin në paqe”, për të kujtuar të vdekurit në kryeqytetin e Xinjiang-ut, Urumqi.
Të paktën dhjetë veta humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën nga zjarri që shpërtheu në një ndërtesë banimi në Urumqi që raportohet se ishte nën regjimin e mbylljes për shkak të koronavirusit, raportoi të premten Agjencia e Lajmeve Xinhua.
Shumë veta ishin të mendimit se kufizimet e shkaktuara nga masat e ashpra të koronavirusit e përkeqësuan fatkeqësinë e zjarrit dhe personelit të urgjencës iu deshën tri orë për të shuar flakët.
Autoritetet hodhën poshtë pretendimet, duke thënë se nuk kishte barrikada në ndërtesë dhe se banorët u lejuan të dilnin jashtë.
Më herët të shtunën, autoritetet në Xinjiang hoqën kufizimet në disa rrethe në Urumqi pasi banorët vendas organizuan protesta të papritura natën vonë kundër politikës së bllokimit të qytetit “zero-COVID-19”, që kishte mbetur në fuqi për më shumë se tre muaj.
Pas protestave të fundjavës, autoritetet thanë se do të rihapin disa vende në Shangai, të cilat u mbyllën më 25 nëntor.
Megjithatë, qeveria vendore ka ashpërsuar kufizimet e COVID-19 dhe e ka bërë të detyrueshme që banorët të tregojnë testin negativ 48-orësh përpara se të hyjnë në restorante dhe ambiente të tjera tregtare, sipas mediave shtetërore.
Autoritetet gjithashtu ndaluan banorët të largoheshin nga qyteti dhe atyre që kthehen në Shangai për më pak se pesë ditë do t’u ndalohet hyrja në vende publike, duke përfshirë qendrat tregtare ose objektet e tjera të biznesit.
Kina, me një popullsi prej mbi 1,4 miliard banorësh, ka konfirmuar 311.624 raste të COVID-19 deri më sot, ndërsa numri i vdekjeve ka arritur në 5.233./FolDrejt.