Kina po përgatitet për rikthimin e valëve të të nxehtit ekstrem gjatë 10 ditëve të ardhshme, me temperaturat që do të fillojnë të rriten sot në disa pjesë të vendit.
Disa qytete bregdetare janë tashmë në nivelin më të lartë të alarmit, ndërsa rajonet e brendshme kanë paralajmëruar për rreziqet e prishjes së digave për shkak të shkrirjes së akullnajave.
Shumë rajone mund të goditen nga temperaturat mbi 40 gradë Celsius, sipas Institutit Hidrometeorologjik atje.
Disa qytete në provincën Zhejiang, shtëpia e shumë fabrikave dhe eksportuesve, dje lëshuan alarme të kuqe – më të lartat në një sistem paralajmërimi me tre nivele – duke parashikuar temperatura prej të paktën 40 gradë Celsius në 24 orët e ardhshme.
Rajoni perëndimor i Xinjiangut paralajmëroi për më shumë përmbytje dhe rrëshqitje dheu, si dhe rreziqe për tokat bujqësore.
Vapa në Kinë këtë verë është cilësuar si ekstreme. Nga 1 qershori deri më 20 korrik, pellgjet e lumit të verdhë dhe lumit Yangtze – qendrat kryesore të industrisë dhe tregtisë – u goditën nga të paktën 10 ditë me temperatura jashtëzakonisht të larta.
Valët e të nxehtit kanë djegur gjithashtu pjesë të tjera të Azisë Lindore, Evropës Perëndimore, Afrikës Veriore dhe Amerikës së Veriut, duke shkaktuar zjarre në shumë vende, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimi i klimës vetëm do t’i bëjë valët e të nxehtit më të nxehta dhe më të shpeshta.