Kina po përgatitet për një sezon të rëndë përmbytjesh me 71 lumenj që tashmë i kanë kaluar nivelet e paralajmërimit, njoftoi të martën agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua, ndërsa autoritetet meteorologjike paralajmëruan se ngrohja globale po nxit motin më ekstrem.
Shiu në disa pjesë të Kinës qendrore dhe jugore ka shënuar nivele rekord në javët e fundit edhe pse reshjet e përgjithshme janë rreth 10% më të ulëta këtë vit krahasuar me vitin e kaluar, sipas Ministrisë së Burimeve Ujore.
Nivelet e ujit në Yangtze dhe degët e tij pritet të rriten më tej gjatë javës së ardhshme, tha ministria, dhe paralajmëroi për përmbytje të mëdha në të gjithë vendin nga qershori deri në gusht.
Verën e kaluar, reshjet e shiut arritën nivelin e dytë më të lartë që nga viti 1961, duke shkaktuar alarme përmbytjesh në lumenjtë dhe liqenet kryesore dhe duke sjellë nivelet e ujit në digën gjigante Tre Gorges afër maksimumit të tyre.
Për tërë vitin e kaluar, nivelet e reshjeve në të gjithë vendin qëndruan në gati 700 milimetra, 10.3% më të larta se mesatarja dhe 7.6% më shumë se një vit më parë, me dyfishimin e reshjeve në disa pjesë të Kinës qendrore dhe veri-lindore.
Jia Xiaolong, zëvendës drejtori i Qendrës Kombëtare Meteorologjike, u tha gazetarëve në fund të Prillit se ngrohja globale e kishte bërë Kinën gjithnjë e më të ndjeshme ndaj motit ekstrem, duke përfshirë valët e nxehtësisë si dhe përmbytjet.
Këtë muaj, një tornado goditi Wuhan dhe një tjetër goditi provincën bregdetare lindore të Jiangsu, duke vrarë 12 vetë dhe duke plagosur qindra. /FolDrejt/