Një zyrtar i lartë i Kinës për kontrollin e sëmundjeve tha se Pekini zyrtar po e konsideron mundësinë e kombinimit të vaksinave kundër COVID-19, duke e pranuar se efikasiteti i vaksinave ekzistuese “nuk është aq i lartë”.
Sipas të dhënave të publikuara, vaksinat e prodhuara në Kinë qëndrojnë shumë prapa atyre të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna, sa i përket efikasitetit që kanë ndajë sëmundjes COVID-19. Megjithatë, për shkak të teknologjisë me të cilat janë prodhuar, vaksinat e kompanive kineze, nuk kërkojnë temperatura shumë të ulëta për t’u ruajtur.
Vaksinat ekzistuese “nuk kanë nivele të larta të mbrojtjes”, tha Gao Fu, drejtor i Qendrës kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Vaksinimi, duke përdorur vaksina të linjave të ndryshme teknike, po shqyrtohet”, tha ai në një konferencë për media.
Gao tha se edhe ndryshimi i intervaleve kohore ndërmjet dozave të vaksinës, por edhe kombinimi i dozave të vaksinave të ndryshme, do të mund të ndikonte në efikasitetin kundër koronavirusit.